Partitë parlamentare nuk e kanë idenë se Ministria e Drejtësisë ka përgatitur propozim-Ligj të ri për falje. Edhe pse ky dikaster thotë se grupe të punës kanë punuar një kohë të gjatë për këtë zgjidhje ligjore, partitë thonë se nuk janë të njoftuara me një propozim të tillë, prandaj edhe nuk e dinë nëse do ta mbështesin ose jo.

“Nuk jemi të njoftuar se po përgatitet ose është përgatitur një zgjidhje ligjore për faljen. Nëse ka, do të donim ta shikonim si fillim, ndërsa qëndrim përfundimtar do të kemi pas analizimit të përmbajtjes”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Mbështetjen ose jo të këtij ligji Aleanca për Shqiptarët do ta kumtojë pas shqyrtimit të tekstit.

“Do të mund të prononcohemi vetëm pasi të shqyrtojmë materialin e propozimit në fjalë”, thonë Aleanca për Shqiptarët.

As grupi parlamentar i BDI-së dhe partia e Alternativa nuk janë të njoftuar se ekziston një propozim i tillë dhe derisa adresohet në Kuvend cili do të jetë qëndrimi i tyre. Lëvizja Besa nuk kishte koment nëse do ta mbështes një ligj të tillë ose jo.

LSDM-ja nuk tregoi nëse ka njoftuar partnerët e koalicionit me përpunimin e një ligji të tillë ose jo dhe cilat janë pritjet e tyre kur i njëjti do të propozohet në Kuvend.

Në zgjidhjen ligjore përveç faljes është parashikuar edhe rehabilitimi i parakohshëm. Rehabilitimi i parakohshëm i parashikuar me Kodin Penal nënkupton ndërprerje të parakohshme të dënimeve të cilët i thirren ndalesave, deportimeve, pasojave juridike nga gjykimi dhe pastrimi i evidencës penale.

Rehabilitimi i parakohshëm do të mund të zbatohet edhe mbi gjobat, dënimet me kusht, vendimit të plotfuqishëm për lirim nga akuza dhe zbatimi i urdhrit për punë në dobi të përgjithshme.

Me dispozitat e parapara rregullohet edhe e drejta e përsëritjes së lutjes për falje në përputhje me lartësinë e dënimit. /Alsat/