Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot në Vjenë mori pjesë në mbledhjen e Ministrave për Çështje Evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nën ombrellën e Ministrit Federal për Çështje Evropiane të Austrisë në zyrën e Kancelarit Federal, Gernot Blumel, kushtuar sfidave me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian në krijimin e të ardhmes së Evropës.

“Të gjithë ne, vendet kandidate për anëtarësim në BE, kemi ambicie dhe qëllim të përbashkët për të qenë pjesë e BE-së, sepse vetëm një Ballkan i qëndrueshëm, i sigurt dhe i begatë është garancë e fortë për një Evropë të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë në tërësi“, theksoi Osmani në takim, duke potencuar se vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht dhe kulturalisht, kanë qenë gjithmonë pjesë e Evropës.

Në rajon ka një realitet të ri të quajtur Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky është vendi i cili pa dyshim bëhet anëtar i 30-të i Aleancës së NATO-s, i cili ka pritje reale për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit; ky është vendi i cili po shndërrohet në shembull për demokraci të organizuar funksionale, multikulturore, multietnike dhe multigjuhësore, theksoi Osmani, duke potencuar se vendi nuk ka më asnjë çështje të hapur me fqinjët e saj, por edhe që ka arritur ti mbyllë të gjitha çështjet kryesore të hapura brenda, në shtëpi.

Shpresoj që historia jonë e suksesit të jetë nxitje për vendet tjera të rajonit, këtu gjithsesi në mënyrë të veçantë mendoj edhe për Kosovë dhe Serbinë, për zgjerimin e vizioneve të tyre politike, duke lënë më shumë hapësirë për kompromis, qasje pozitive dhe vullnet politik diplomatik, për t’i dhënë fund kontestit të tyre“, theksoi Osmani, duke nënvizuar zgjidhjen e kontestit Prishtinë – Beograd si më të vështirin, më kompleksin, si dhe për momentin prioritetin më të rëndësishëm në rajon.

Zëvendëskryeministri Osmani shprehi mirënjohje të veçantë për nikoqirin Blumel,  fillimisht për mbajtjen e takimit, duke krijuar mundësi që të gjithë Ministrat në një vend të ndajnë idetë, vizionet dhe pritjet e tyre lidhur me zhvillimin e Bashkimit Evropian në të ardhmen, por në përgjithësi edhe mirënjohje ndaj Austrisë për mbështetjen e madhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në aspiratat për anëtarësim në BE, veçanërisht në kuadër të presidencës së tyre me Unionin, duke vendosur përparimin e rajonit si një nga prioritetet më të rëndësishme të BE-së.