Opozita dje propozoi ministër të ri teknik të Punëve të Brendshme, përderisa, ndërkaq tek pushteti propozimi hapi dilemë nëse është në pajtim me Kushtetutën, pasi që u cek se bëhet fjalë për person ushtarak në shërbim të Armatës. Takimet e mbrëmshme mes pushtetit dhe opozitës ishin të parat në prag të formimit të qeverisë teknike, ndërkaq siç tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, të hënën do t’i kumtojnë edhe propozimet për resorët e tjerë.
Mickoski dje në takime të ndara me kryeministrin Zoran Zaev dhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti e dha propozimin për ministër të Punëve të Brendshme në qeverinë kalimtare, duke cekur se bëhet fjalë për profesionist me karrierë jashtëzakonisht të pasur në shërbim atje ku ka punuar deri më tani.
“Biseduam për emrin e kandidatit, ua prezantuam, e prezantuam biografinë e personit dhe në interes të konsultimeve plotësuese që ai duhet t’i bëjë, unë nuk do ta përmendja akoma propozimin tonë, u morëm vesh që për rreth një orë – një orë e gjysmë prej tani të dëgjohemi në telefon për konfirmimin përfundimtar. Por, kështu në të parën, nuk pati kurfarë vërejtjesh, e as ndërkaq nuk pati komente shtesë”, tha Mickoski.
Zaev, ndërkaq, pas takimit me Mickoskin, theksoi se bëhet fjalë për person ushtarak dhe prej këtu del dilema nëse Kushtetuta në pajtim me nenin 97 e lejon atë, Ligji për shërbim në Armatë dhe Ligji për shërbim në MPB. Theksoi se do të konsultohen me ekspertët rreth kësaj çështje. Nuk kanë, siç tha, paragjykime për kandidatin, ai është e drejtë e opozitës dhe se për herë të parë e dëgjuan atë emër edhe pse është kolonel në Armatë.
Për Ahmetin, sipas deklaratës së tij pas takimit me Mickoskin, propozimi i VMRO-DPMNE-së është i pranueshëm për ministër të Punëve të Brendshme. Ahmeti tha se ai është profesionist i dëshmuar i cili nuk ka qenë i njohur si aktivist politik, e as ndërkaq, aktiv në shoqërinë civile.
Disa mediume kumtuan se propozimi i VMRO-DPMNE-së për ministër teknik të Punëve të Brendshme është Dragan Kovaçki, i cili vjen nga ARM-ja dhe është me gradën kolonel. Ai ka karrierë të gjatë në ushtri, mes tjerash edhe si Komandant i Brigadës së parë të mekanizuar këmbësorike.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, e cila është edhe profesoreshë universitare e së drejtës kushtetuese, u prononcua në profilin e saj në Fejsbuk rreth propozimit të VMRO-DPMNE-së për ministrin teknik të Punëve të Brendshme.
“Krahas aq këshilltarëve nga Juridiku, të nxjerrrësh propozim antikushtetues?!”, shkroi Deskoska në Fejsbuk.
Qëndrimin e vet e bazon në nenin 97 të Kushtetutës, që cakton: “Me organet e administratës shtetërore në sferën e mbrojtjes dhe policisë udhëheqin persona civil të cilët mu para zgjedhjeve në ato funksione kanë qenë civilë së paku tre vite”.
Në takimin mes Mickoskit dhe Taevit u bë fjalë edhe për ndryshimin e modelit zgjedhor. Zaev përsëriti se LSDM është e qëndrimit se duhet të kemi një njësi zgjedhore, duke bërë thirrje që të gjendet zgjidhje edhe për atë çështje.
Mickoski, ndërkaq, lidhur me këtë tha se si VMRO-DPMNE kanë shprehur gatishmëri që menjëherë pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve opozita dhe pushteti, cilët do që të jenë atëherë, të ulen dhe të bisedojnë për ndryshim të modelit zgjedhor dhe zbatim të të ashtuquajturave lista preferenciale apo të hapura gjatë zgjedhjeve të ardhshme lokale, posaçërisht për listat për këshilltarë.
Të premten në mbrëmje në Këshillin qendror dhe atë ekzekutiv të LSDM-së, për kryeministër teknik u zgjodh ministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkaq zëvendëskryeministre në vendin e Koço Angjushevit, Milla Carovska. Spasovski do të jetë kryeministër teknik prej 3 janarit të vitit 2020 deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve në prill.
U zgjodhën edhe dy zëvendësministra plotësues në qeverinë kalimtare – Sllavjanka Petrovska në MPB dhe Sanela Shkrijelj – në MPPS. .
Comments are closed for this post.