Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara të hënën u pajtua të mbajë debat urgjent për gjendjen e të drejtave të njeriut në Bjellorusi.

Kërkesë për mbajtje të këtij debati paraqiti Gjermania, e cila tha se në Bjellorusi ka përkeqësim të theksuar të gjendjes së të drejtave të njeriut që nga zgjedhjet e kontestuara, të cilat u mbajtën muajin e kaluar.

Kryetarja e këtij këshilli, Elisabeth Tichy-Fisslberger, tha se 25 shtete anëtare votuan për mbajtjen e debatit dhe dy të tjera kundër, ndërsa 20 abstenuan, që do të thotë se kërkesa e Gjermanisë është miratuar me shumicë votash.

Ambasadori i Bjellorusisë, Yuri Ambrazeviq, u ankua për këtë debat, të kërkuar në emër të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar nismën si pjesë të një fushate të gjerë politike, të organizuar nga BE-ja me qëllim të përkrahjes së forcave politike që i kanë humbur zgjedhjet në Bjellorusi.

“Bashkimi Evropian është duke i krijuar kushtet për këtë bllokadë politike në shoqërinë e Bjellorusisë”, tha ai.