Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, ka përshëndetur nënshkrimin e protokollit qasës për në NATO. Ata thonë se kjo është ditë e rëndësishme për shtetin dhe se po përfundon një padrejtësi ndaj shtetit për më shumë se dhjetë vite.

Zëdhënësi i kësaj partie Dimçe Arsovski, sot në konferencë për shtyp tha se, hyrja e Maqedonisë në NATO është pritur gjatë dhe është e merituar që nga vitit 2008.

“Maqedonia që nga Samiti i Bukureshtit ka plotësuar kushtet dhe gjitha reformat për anëtarësim të plotë, por për fat të keq atëherë u pengua vetëm nga Greqia, për shkak të problemit të tyre me emrin tonë kushtetues dhe identitetin, të cilat tani u ndërruan në dëm të qytetarëve dhe shtetit, në mënyrë joparimore”, tha Arsovski.

Ai tha se anëtarësimi në NATO është përcaktim strategjik i OBRM-PDUKM-së dhe se procesi për përmbushjen e kushteve është meritë e madhe e Qeverisë së OBRM-PDUKM-së në të kaluarën.

“Zoran Zaev dhe qeveria bënë tregti me identitetin, gjuhën dhe traditën, gjëra që na janë lënë nga gjeneratat e mëparshme dhe të cilat janë themel i karakterit shtetëror dhe kombëtar të Maqedonisë”, deklaroi Arsovski.

Ai përsëriti edhe një herë qëndrimin e partisë së tij, duke ftuar shumicën parlamentare të pranojnë propozimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të organizoheshin së bashku me ato presidenciale.