OBRM-PDUKM do të dorëzojë padi penale kundër kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare Martin Kostovski, por edhe gjithë atyre për të cilët do të konfirmojnë se kanë përgjegjësi për shkeljen e ligjit.

Sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së Igor Janushev, në konferencë për shtyp tha se publikimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Ivanovit, është joligjor dhe tentim i dhunshëm për vendime të cilat sipas tij, lënë pasoja të mëdha në shtet.

“OBRM-PDUKM do të dorëzojë padi penale kundër Talat Xhaferit dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare, por edhe kundër gjithë atyre për të cilët do të konfirmohet përgjegjësia se kanë shkelur ligjin, në lidhje me publikimin e ligjit për dygjuhësi pa nënshkrimin e presidentit të shtetit”.

“Në mënyrë shtesë do të dorëzojmë iniciativë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për dygjuhësi në Gjykatën Kushtetuese. Me këtë ligj rrënohet edhe një themel i Maqedonisë, i cili lidhte gjitha bashkësitë etnike që jetojnë këtu”, tha Janushev.

Ai ju bëri thirrje gjitha institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe lokal që ta injorojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.