Komisioni për Antikorrupsion do të hetojë mënyrën në të cilën ministri i Arsimit Arbër Ademi, zv.ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu dhe drejtori i Entit Shtetëror për Industri Safet Emruli, janë avancuar në karrierën akademike, pasi inspekori i arsimit konfirmoi se në mënyrë joligjore janë avancuar në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

“Ne jemi për të respektuar të gjitha rregullat ligjore dhe kjo procedurë është zbatuar nga ana e Universitetit pasi ata janë kompetentë për shpalljen e konkurseve për zgjedhje dhe rizgjedhje. Kështu që do të insistojmë në zbatimin e gjitha dispozitave ligjore”, tha Arbër Ademi për Fakulteti.mk.

Ankesën ndaj tij në Komisionin për Anti-korrupsion e ka dorëzuar inspektori për arsim të lartë Gjorgji Ilievski, i cili në kontroll të rregullt inspektorial në UT ka konstatuar se Ministri i Arsimit dhe Shkencës në mënyrë joligjore është zgjedhur docent.

Ilievski ka thënë se edhe Agim Nugiu dhe drejtori Safet Emruli në mënyrë joligjore janë avancuar në UT, gjegjësisht janë zgjedhur për nivele më të larta, ndërkohë që kanë kryer funksione publike.