Ndeshjet e mbrëmshme në kualifikueset e Botërorit kanë siguruar biletën për 2 skuadra të tjera, duke çuar në 11 numrin e ekipeve të cilat janë të sigurta për pjesëmarrjen në “Katar 2022”.

Anglia dhe Zvicra janë dy skuadrat që shkruan mbrëmë emrin e tyre në listën e pjesëmarrësve, duke u konfirmuar si fituese në grupet përkatëse kualifikuese.

Ata i bashkohen kështu Katarit, Gjermanisë, Danimarkës, Brazilit, Francës, Belgjikës, Kroacisë, Spanjës dhe Serbisë si ekipet të cilat deri tani kanë sigurinë e plotë se do të jenë në turne.

Ndërkohë, situata me play off në kontinentë të ndryshëm vazhdon të jetë e paqartë dhe priten ndeshjet e fundit të kësaj jave për të pasur kuadrin e plotë.

Në zonën e Europës, në play-off për momentin kanë prerë një biletë Portugalia, Skocia, Italia, Rusia, Suedia, Polonia, Uellsi dhe Maqedonia e Veriut.

Në zonën e Afrikës, deri tani në fazën play-off janë kualifikuar RD Kongo, Egjipti, Gana, Maroku, Mali dhe Senegali.

Kuptohet që gjithçka mbetet e hapur deri në ndeshjet e fundit sa i përket ekipeve pjesëmarrëse, pasi ka zona si Oqeania, të cilat nuk kanë nisur ende kualifikueset për shkak të situatës me COVID dhe shpresojnë që t’i luajnë ato në mars 2022.