Njëri nga policët e sulmuar dje në lagjen e Shutkës po lufton për jetë. Lëndime të rënda në kokë dhe trup polici F.K. ka marrë gjatë incidentit që ndodhi në orët e pasdites pas dezinformatës se një furgon ka dashur të rrëmbejë një vajzë rome në këtë lagje.

Ka qenë një vajzë e mitur që ka lajmëruar një banor se dy persona kanë tentuar të rrëmbejnë një vajzë. Pasi është lajmëruar policia, është grumbulluar spontanisht edhe grupi i romëve. Në ndërkohë, në atë moment kanë hasur në një veturë në të cilën kanë qenë 3 persona, nga të cilët dy zyrtarë policor shqiptarë nga Stacioni Policor i Çairit, të cilët nuk kanë qenë në detyrë, por që janë legjitimuar si policë.

Megjithatë, edhe pse ishin legjitimuar, romët e grumbulluar i kanë sulmuar policët, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Nga MPB-ja thonë se po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit.