Sipas një raporti të besueshëm, të paktën një e treta e sasisë së akullit në zingjirin malor të Himalajeve do të shkrihet për shkak të ngrohjes globale. Parashiheht që kjo dukuri do të sjellë pasoja serioze për gati dy miliardë njerëz.

Edhe nëse lirimi i karbonit zvogëlohet dhe nëse arrihet qëllimi i kufizimit të rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë, raporti thotë se 36 për qind e akullnajave në Himalaje do të shkrihet deri në vitin 2100. Nëse sasitë e karbonit nuk pakësohen, dy të tretat e akullit në këtë zonë malore mund të shkrihen deri në fund të këtij shekulli.

Akullnajat paraqesin rezerva të rëndësishme të ujit për 250 milionë njerëzit që jetojnë në rajonin e Himalajeve, ndërsa 1 miliard e 65 milionë njerëz janë të varur nga lumenjtë që rrjedhin nga këto male, të cilat kalojnë nëpër Indi, Pakistan, Kinë dhe shtete tjera.

“Kjo është kriza klimatike për të cilën nuk keni dëgjuar. Në rastin më të mirë, një e treta e akullit do të shkrihet dhe kjo gjendje do të sjellë pasoja”, tha Philippus Wester, njëri nga autorët e raportit të publikuar nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillim të Integruar të Maleve.

Ai tha se ky rajon nuk ka qenë në qendër të vëmendjes së institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, pavarësisht faktit se është vend shumë i populluar. Sipas tij, vëmendjen e kanë marrë shtetet që shtrihen në lartësi të vogël mbidetare dhe Arktiku, vende të cilat gjithashtu janë në rrezik të madh nga ngrohja globale, shkruan “The Guardian”.