Si në vendet tjera në mbarë botën, edhe në vendet e rajonit besimtarët myslimanë shprehin interesin e tyre për të kryer Haxhin. Qindra haxhinj nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova gjatë javës së ardhshme të ndarë në grupe do të nisen për në vendet e shenjta për të kryer një nga pesë kushtet e fesë Islame. Sipas të dhënave të Anadolu Agency (AA) të siguruara nga institucionet fetare në këto tre vende të rajonit, numri më i madh i besimtarëve myslimanë që do të nisen për në vendet e shenjta janë nga Kosova ku janë regjistruar 1.080 besimtarë, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 850 besimtarë dhe Shqipëria me 370 besimtarë.

Haxhinjtë nga Maqedonia e Veriut do të nisen më 30 dhe 31 korrik në pesë grupe nga Shkupi në Xheda, ndërsa do të kthehen më 25, 26 dhe 27 gusht nga Medina në Shkup. Sipas të dhënave të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, këtë vit janë regjistruar 850 haxhinj, ku përfshihet edhe stafi udhëheqës dhe ai mjekësor që përbëjnë 40 persona. Personi më i ri që sivjet do të niset në vendet e shenjta është një fëmijë 5-vjeçar, ndërsa më i moshuari është një 82-vjeçar. Çmimi për kryerjen e Haxhit sivjet është 4.400 euro, që shënon një rritje prej 300 eurosh në krahasim me vitin e kaluar, kur ishte 4.100 euro.

Gjithashtu edhe haxhinjtë nga Shqipëria kanë bërë përgatitjet e tyre për të udhëtuar në vendet e shenjta për të kryer Haxhin. Këtë vit janë regjistruar 370 besimtarë myslimanë nga Shqipëria të cilët pritet të nisen për në Haxh së bashku me dhjetëra besimtarë nga Mali i Zi më 31 korrik dhe 1 gusht. Çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët myslimanë nga Shqipëria për vitin 2019 është 3.700 euro .
Sipas të dhënave të siguruara nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), për në haxh nga Kosova do të nisen 1.080 haxhinjë, në mesin e të cilëve 370 janë gra. Nga BIK-u, për AA konfirmuan se grupi i parë i haxhinjve do të nisen nga Prishtina më 1 gusht ndërsa grupet tjera do të nisen më 2 dhe 3 gusht. Çmimi i haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro.