Është ngritur një aktakuzë kundër Hunter Biden, djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden, nën dyshimin se gënjeu gjatë blerjes së një arme zjarri, njoftoi BBC të enjten. Ai përballet me tri akuza penale për gënjim gjatë blerjes së armës së zjarrit, pasi përpjekjet për të arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dështuan.
Kjo nënkupton se kjo është hera e parë që një fëmijë i një presidenti në detyrë përballet me aktakuzë penale në SHBA.
Marrëveshja e planifikuar për pranimin e fajësisë për zgjidhjen e akuzave me të cilat ai përballej në lidhje me armën dhe taksat, dështoi papritmas në korrik.
Të gjitha tri akuzat kanë të bëjnë me dyshimet se Hunter Biden gënjeu në formularët kur e bleu një armë zjarri në kohën sa ishte përdorues i drogës.
Dokumentet e gjykatës tregojnë se Hunter Biden gënjeu në formularët de detyrueshëm federalë kur e bleu një revole Colt në një dyqan armësh në Delavere në tetor të vitit 2018.
Asokohe, ai ishte përdorues i madh i kokainës.
Sipas ligjeve federale në SHBA, është krim të gënjesh në dokumente të tilla, apo të mbash armë zjarri derisa je përdorues i drogës.
Më herët, ai i kishte pranuar akuzat gjatë bisedimeve për marrëveshjen e dështuar tashmë të pranimit të fajësisë; një marrëveshje dypjesëshe e arritur mes prokurorëve dhe ekipit ligjor të Hunter Bidenit në qershor.
Sipas kushteve të marrëveshjes, ai do të akuzohej për dy kundërvajtje si për dështimin për t’i paguar taksat me kohë në vitet 2017 dhe 2018.
Për më tepër, ai do të ishte detyruar ta pranojë akuzën për armëmbajtje të paligjshme.
Kjo aktakuzë është e para e ngritur nga prokurori i posaçëm Davis Weiss, i cili u emërua në gusht nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Weiss kishte thënë më parë se synonte të ngrinte aktakuzë ndaj Hunter Bidenit deri më 29 qershor.
Telashet ligjore të Bidenit të ri janë bërë çështje tejet kundërthënëse në politikën e Shteteve të Bashkuara, në kohën kur babai i tij po kërkon të rizgjidhet president.
Comments are closed for this post.