Nga sot në barnatoret në vend do të shpërndahen nëntë barnat e reja në listën pozitive. Në listë janë ilaçet për presionin e gjakut, për sëmundjet e zemrës, antiagregantët, ilaçet për trajtimin e depresionit dhe demencën. Në kurriz të Fondit shëndetësor do të jenë antikoagulantët Prasugrel dhe Ticagrelor, Nebivolol, Perindopril, Valsartan, Fenofibrate, barna kundër tensionit të lartë dhe yndyrës së lartë, si dhe Escitalopram, Memantine, Duloxetine të cilët janë antidepresantë dhe ilaçe për trajtimin e demencës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari paralajmëroi se në fillim të vitit të ardhshëm, lista pozitive e barnave mund të plotësohet edhe me ndonjë ilaç tjetër.
“Sipas listës pozitive tashmë nga 16 shtatori, pacientët mund t’i marrin ato nëntë barnat e reja në barnatore falas. Pra, ai hyn në fuqi nga e hëna. Së bashku me OBSH-në po përgatisim një platformë që do të sigurojë transparencën e të gjithë procesit në zgjerimin e ardhshëm të barnave. Do të kemi rekomandime edhe nga OBSH, por edhe nga ekspertë brenda vendit. Ne dëshirojmë që gjithë ai zgjerim i listës pozitive të jetë sa më transparent dhe sa më gjithëpërfshirës, për çka qytetarët kanë nevojë më së shumti, që do t’i zvogëlonte sa më pak shpenzimet e pacientëve dhe qytetarëve tanë”, ka thënë Taravari.
Ai theksoi se nuk mund të premtojë se në këtë listë pozitive do të shtohen edhe 10 barna të tjera në periudhën e ardhshme, por siç thotë ai garanton se çdo tre deri në katër muaj do të shtohen nga një, dy ose tre barna.
“Shikoni, ky është një revolucion i problemeve të cilat 10 vjet nuk janë zgjidhur. Lista e fundit pozitive është në vitin 2009, në vitin 2014 vetëm një ilaç është rimbushur dhe tani kemi nëntë barna për 50 ditë. Shpresoj që pas Vitit të Ri të kemi një zgjerim të listës. Them se jam shumë i lumtur që partnerët tanë janë përfaqësuesit e OBSH-së, ne do të përpiqemi t’i përmbahemi platformës dhe rekomandimeve që ata na japin”, tha Taravari.
Ai u bën thirrje të gjitha kompanive farmaceutike të interesuara, prodhuesve që të konkurrojnë dhe të jenë aktivë, t’i sugjerojnë që Ministria dhe Qeveria do të jenë sa më transparent dhe rezultati do të jetë sa më i mirë për të gjithë qytetarët në vend.
Comments are closed for this post.