Pothuajse shtatë mijë kompani dështuan gjatë vitit 2022. Të dhënat e Rrjetit të Biznesit, një kompani që bën kërkime tregu, thonë se shumica e kompanive të shuara ishin mikro dhe të vogla, por kishte edhe disa kompani të mëdha që kishin peshë serioze në Prodhimin Bruto Vendor. Kriza ekonomike dhe ndikimet e jashtme të shkaktuara nga lufta në Ukrainë kanë një ndikim të madh në klimën e biznesit në Maqedoninë e Veriut.
“Në aktivitetin e tregtisë me shumicë dhe pakicë kemi numrin më të madh të shoqërive të shuara edhe atë 2134, në industrinë përpunuese kemi 882 kompani, në veprimtarinë e objekteve akomoduese dhe të shërbimit ushqimor kemi 677, dhe në ndërtimtari 506 kompani. Numri më i madh i ndërmarrjeve të shuara është në qytetin e Shkupit me 2299 ndërmarrje, më pas është Manastiri me 411 kompani, pastaj Tetova me 385, Kumanova me 304, Gostivari me 305 kompani”, tha Ognen Ognenovski -Target Grup.
Biznesi as këtë vit nuk pret përmirësim të veprimtarisë ekonomike. Kapërcimi i krizës energjetike, ulja dhe stabilizimi i inflacionit, si dhe mbajtja e fuqisë punëtore të kualifikuar në Maqedoni janë sfidat kryesore për biznesmenët këtë vit.
“Sfida e parë do të jetë ulja e inflacionit, pa ndikuar negativisht në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Pastaj goditjet që vijnë nga rritja e energjisë dhe ushqimit. Dhe së treti, ristrukturimi afatgjatë i ekonomisë drejt një ekonomie më të gjelbër, automatizimi dhe digjitalizimi, të gjitha me qëllim që të bëhet më konkurruese, më dinamike dhe të çojë në rritjen e standardit të jetesës”, thonë nga Oda Ekonomike.
Jo vetëm në Maqedoni, njoftime pesimiste se si do të ecë ekonomia në nivel global vijnë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Sipas FMN-së, një e treta e vendeve në botë do të hyjë në recesion këtë vit. /Alsat/
Comments are closed for this post.