Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e thirrur nga kryetari Enkelejd Alibeaj, nuk arriti të bëjë bashkë as gjysmën e deputetëve, duke dëshmuar sërish krizën e thellë, që prej muajsh mban të mbërthyer këtë forcë politike. Ndërsa në shumicë dërrmuese, 35 deputetë shmangën praninë e tyre në Kuvendin e 30 prillit të organizuar nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësitë e tij, mbrëmjen e së enjtes, thirrjes së zotit Alibeaj, për të diskutuar ndër të tjera dhe qëndrimin për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, ju përgjigjën 22 deputetë.
Mbledhja u parapri nga një qëndrim i ashpër i Komisionit të Rithemelimit, i cili i kujtoi zotit Alibeaj se Kuvendi i 30 prillit e ka shkarkuar nga detyra. Ai “nuk përfaqëson as Partinë Demokratike, e as grupin e saj parlamentar. Me gjithë këtë, ai vazhdon të përfshihet në farsën e turpshme të Edi Ramës të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me opozitë të emëruar prej tij. Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe cilido që merr pjesë në farsen elektorale të Edi Ramës, përfaqëson thjesht veten dhe problemet e tij dhe kurrë opozitën shqiptare”, thekson deklarata. Sipas Komisionit të Rithemelimit “Partia Demokratike angazhohet në këtë proces vetëm në rastin që pseudo-mazhoranca vendos të pranojë për President Republike kandidatin e opozitës së vërtetë, e jo opozitës së emëruar, i cili duhet të jetë një emër konsensual i forcave politike opozitare”, vijon më tej deklarata duke shtuar se “thirrja nga ana e deputetit Alibeaj, me porosi të Ramës, e mbledhjes së Grupit Parlamentar, është një fyerje e rëndë për të gjithë demokratët dhe një akt i paligjshëm”.
Më pas, u njoftua dhe thirrja me urgjencë e Këshillit Kombëtar “i vetmi organ, i cili mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të PD lidhur me një çështje të rëndësishme politike, si ajo e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, pasi, në bazë të statutit, ai është organi më i lartë që drejton veprimtarinë politike të PD në periudhën midis dy Kuvendeve”.
Më 30 prill, Këshillit Kombëtar iu la detyrë që të zgjedhë dhe dy nënkryetarët, njëri prej të cilëve automatikisht do të duhet të jetë kryetar i grupit parlamentar. Një akt që pritet të çojë në një përballje forcash brenda grupit, të cilin zoti Berisha, duket se nuk e kontrollon ende. Pavarësisht emërimit të një prej nënkryetarëve që do të zgjidhet nga Këshilli, sërish ai do të duhet të ketë mbështetjen e deputetëve.
Zoti Alibeaj tha sot se dhe ai nuk i njeh institucionet, që dalin nga Kuvendi i 30 prillit, duke theksuar qëndrimin e tij të njohur se Partia Demokratike nuk mund të qëndrojë jashtë procesit për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit. Ai bëri të ditur se të gjithë deputetët, pa përjashtim duhet të japin idetë e tyre për kriteret dhe cilësitë që do të duhet të ketë figura e presidentit të ardhshëm, në mënyrë që pastaj ato të sintetizohen për të gjetur një emërues të përbashkët, duke njoftuar një mbledhje tjetër të grupit të hënën e ardhshme, një ditë para nisjes së procesit për zgjedhjen e Kreut të Shtetit.
Mbetet të shihet numri e deputetëve që do vijojnë ta mbështesin zotin Alibeaj, dhe nëse ndarja e fortë në qëndrime do të sjellë pasoja, në përfshirjen ose jo të demokratëve në bisedime me socialistët. Raundi i parë i votimit është parashikuar për më 16 maj.
Comments are closed for this post.