Në Europën Perëndimore është bërë e zakonshme të dëgjosh njerëzit të ndërmarrin iniciativa gjithnjë e më popullore si “e hëna pa mish”, por a nënkupton kjo se këto shtete po konsumojnë më pak mish?
Në shkallë globale konsumi i mishit për banor është rritur me rreth 20 kg që prej vitit 1961. Sipas të dhënave të OKB-së të publikuara nga “Euronews” në vitin 2014 një njeri i zakonshëm konsumonte rreth 43 kg mish. Europianët dhe Amerika e Veriut konsumonin shumë më tepër se kaq, me një mesatare prej 80 kilogramësh. Spanja dhe Austria ishin shtetet me mesataren më të lartë të konsumit të mishit në Europë, me respektivisht 94,04 kg dhe 90,87 kg për banor. Ndërsa në mesin e shteteve me konsumin më të ulët të mishit janë Bosnje Hercegovina me 32,21 kg për banor, Azerbajxhani me 31,1 kg dhe Gjeorgjia me 27,89 kg. Shtetet në lindje të Europës duket se konsumojnë më pak mish në krahasim me vendet perëndimore, dhe kjo duket të jetë pasojë e të ardhurave më të ulëta vjetore. Në Ballkan shqiptarët, të cilët rezultonte se konsumonin 61,96 kg mish për banor në vitin 2014, renditen pas Malit të Zi dhe Greqisë, por para Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës. Për Kosovën nuk ka të dhëna.
Comments are closed for this post.