Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë kanë thënë se janë në komunikim intenziv me autoritetet e Maqedonisë për rastin tragjik të Koçanit, se koordinohen me Arben Taravarin.
Deklaratë e plotë për Media nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socialelidhur
Fatkeqësia tragjike që ndodhi në Koçan, ku humbën jetën shumë qytetarë, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur, ka tronditur thellë opinionin publik në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë, bën të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv me autoritetet shëndetësore të Maqedonisë.
Që në orët e para pas ngjarjes, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me homologun e saj në Maqedoninë, Ministrin Arben Taravari me qëllim koordinimin e veprimeve konkrete dhe ofrimin e asistencës së menjëhershme në çdo formë që autoritetet vendase mund të kenë nevojë.
Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm koordinues dhe lehtësues e ka luajtur edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, Maqedoni nëpërmjet angazhimit aktiv të Ambasadorit Denion Meidani, i cili që nga momentet e para ka qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet maqedonase për menaxhimin sa më të mirë të situatës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmon se institucionet mjekësore të Republikës së Shqipërisë janë në gatishmëri të plotë dhe të përgatitura të ofrojnë ndihmë shëndetësore, logjistike dhe teknike për të prekurit nga kjo tragjedi.
Në këto momente të rënda, Republika e Shqipërisë rikonfirmon solidaritetin dhe mbështetjen e saj të plotë ndaj komunitetit të Koçanit dhe autoriteteve të Maqedonisë, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe urimet për shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.
Comments are closed for this post.