Përveç situatës në Misionin e përhershëm të KB-së në Nju-Jork, kemi indikacione për keqpërdorime financiare edhe në të paktën dy përfaqësi të tjera diplomatike-konsullare të RMV-së jashtë vendit, deklaroi sonte ministri Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, pa specifikuar se për cilat ambasada bëhet fjalë?

“Për fat të keq kam evidentuar edhe disa raste të tjera të punës joprofesionale, më duhet të konstatoj se në javët e fundit kemi evidentuar edhe disa raste të tjera të mospërputhjeve serioze. Nuk mund të them këtu se ku, në radhë të parë për respekt për vendet ku ata individë janë të akredituar, por kemi edhe situata të tjera, si situata me Misionin e përhershëm në Nju-Jork, të abuzimeve financiare nga ambasadorët tanë. Do të vendosim standarde më të larta të performancës për ambasadorët tanë, duke mbrojtur kështu pronën dhe buxhetin tonë. Besoj në procedurat, kemi indikacione dhe do t’u japim mundësinë të argumentojnë dhe të paraqesin provat e tyre, por përgjithësisht kur bëhet fjalë për çështjet financiare, gjërat janë zakonisht shumë të qarta, madje edhe ato famëkeqe, por ne duhet të zbatojmë procedurë të brendshme dhe auditim të brendshëm sepse duhet t’i kemi standardet më të larta për përfaqësuesit tanë jashtë vendit”, theksoi Mucunski.

Në pyetjen se a kanë përfunduar konsultimet në MPJ me ambasadorët Vesel Memedi, Lubomir Fërçkoski, Andrej Zhernovski dhe Danço Markovski, tha se janë realizuar konsultime me tre nga këta ambasadorë. Theksoi se nuk janë bërë konsultime vetëm me Fërçkoskin, pasi siç informoi ai ka marrë pushim mjekësor.

Lidhur me ambasadorin në Tiranë, Markovski, ministri tha se atje kanë pasur dhe kanë shqetësime serioze për mënyrën se si është bërë regjistrimi në Shqipërinë fqinje.

“Për këtë kam ende komunikim me kolegun tim, ndërsa kryeministri Mickoski me kryeministrin Rama. Por ajo që kemi vërtetuar është se në fakt gabimet institucionale që kanë ndodhur derisa po mbahej regjistrimi ishin kryesisht nga ana jonë, gjegjësisht mosveprimi nga ana e institucioneve nga një alarm i ngritur qartë, si nga ne ashtu edhe nga ambasada jonë në Tiranë. Dhe këtu nuk mund ta gjej fajin tek ambasadori Markoski, sepse ai me të drejtë ka theksuar se ka probleme. Së bashku, ai dhe unë arritëm në përfundimin se institucionet, edhe atë jo vetëm MPJ, por edhe një sërë institucionesh të tjera gjatë asaj periudhe, nuk kanë vepruar siç duhet, nuk kanë dhënë asnjë udhëzim për ambasadën tonë në Tiranë. Dhe kjo është arsyeja pse vendosa ta kthej ambasadorin Markoski në Tiranë. Ai e përfundon mandatin e tij për disa muaj”, tha Mucunski.