Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur katër thirrje publike për blerjen e mobilieve për më shumë se 150 mijë euro. Sirtare, rafte, varëse rrobash, por edhe kolltuqe nga lëkura.

Sipas specifikave të publikuara në web-faqe, MPB porosit 50 kolltuqe pune, mbulesa e të cilave duhet të jetë nga lëkura natyrore, ndërsa karriget duhet të jenë të metalit, të cilat gjithashtu duhet të jenë të mbuluara me lëkurë.

Përveç këtyre, MPB kërkon edhe 250 karrige tjera për zyrat e punëtorëve, të cilat duhet të jenë të mbështjellura me poliestër. Vetëm për karriget MPB do të paguajë rreth 35 mijë euro.

Më shumë para, gjegjësisht 83 mijë euro MPB do të jep për kabinete metalike, sirtarë, garderobë, sirtare për ruajtjen e armëve të zjarrit, etj.

Para MPB-së, edhe kompania shtetërore “MEPSO” nënshkroi marrëveshje prej 212 mijë eurove me një kompani për blerjen e kuzhinës, mobilieve për zyrë dhe interier tjetër.