Në lidhje me tragjedinë e djeshme që ndodhi në rrugën Shkup-Tetovë, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë mobilizuar të gjithë specialistët në dhe po shfrytëzohen të gjitha resurset nga të gjitha klinikat që të ju jepet ndihmë të lënduarve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në dispozicion janë ekipet nga spitali “8 shtatori”, Qendra e Emergjencës, Spitali Klinikë i Tetovës dhe veturat e ndihmës së shpejtë nga Shtëpia e Shëndetit në Shkup dhe nga spitalet private “Sistina” dhe “Neuromedika””, njoftojnë nga Ministria.

Nga atje thonë se grupet mjekësore janë maksimalisht të angazhuara me qëllim që të bëhet gjithçka për të shpëtuar jetën e të lënduarve.

Shtatë personat të cilët janë shtruar në spital në Shkup janë në gjendje kritike. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se numri i të vdekurve nga kjo tragjedi ka arritur në 14 persona.