Deputeti i OBRM-PDUKM-së Antonio Milloshoski publikoi një audio inçizim ku kinse tregon se ish-kryeministri Zoran Zaev po ndërhynte në gjyqësor dhe prokurorinë speciale.

Ai thotë se në inçizime dëgjohet se si Zaev ishte në bashkëpunim me ish-prokuroren Janeva mbi të gjitha vendimet e saj.

Milloshoski publikoi “bombën”, së bashku me një transkriptim të bisedës, për të cilën ai tha se e kishte marrë nga një person anonim që i tha atij se ishte një regjistrim me interes të lartë material.

“Zaev si kryeministër në prani të njerëzve të tjerë jep deklaratë të qartë publike se ai ka negociuar vendime me Gjykatën e Lartë, e cila është një ndërhyrje në pushtetin e gjyqësorit dhe një shkelje flagrante e ligjit. Ai ishte në kontakt të ngushtë me Katica Janeva e cila nuk mund të vepronte e pavarur. Ju mund ta shihni qartë pse ai po nxitonte të miratonte ligjin për Prokurorinë Publike në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Milloshoski.

Sipas tij, pas një materiali të tillë Zaev duhet të arrestohet ose të thirret për marrje në pyetje.