Kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi të martën se ka pranuar letrën e dërguar një ditë më parë nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë, Ali Ahmeti, në të cilën ky i fundit shprehu shqetësimet për ndikimin e vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese në kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.

Sipas Mickoskit, Ahmeti në pjesë e parë letrës adreson çështje të situatës gjeopolitike dhe në pjesën e dytë shpreh pakënaqësi për vendimet e gjykatësve, të cilat, sipas tij, “janë zgjedhur me mbështetje të pushtetit paraprak, BDI-së dhe Lidhjes Socialdemokarte”.

“Nuk e kam ditur se këta gjykatës, po e përsëris, të zgjedhur nga shumica e LSDM-së dhe BDI-së, zbatojnë një program të VMRO-DPMNE-së. Se qenka i shqetësuar për çështjen që ka të bëjë me Ligjin për gjuhët, dhe se duhej ndërhyrë te gjykatësit kushtetues të zgjedhur nga LSDM dhe BDI, të kenë kujdes se çfarë po bëjnë, sepse në këtë mënyrë mund të destabilizojnë shtetin. Përafërsisht kjo është letra. Publiku le ta vlerësojë nëse kjo meriton koment”, u përgjigj Mickoski të martën, para konferencës së platformës Bloomberg Adria.

Ai theksoi se nuk pajtohet me qëndrimin e BDI-së për mënyrën se si duhet të funksionojë shteti, dhe shtoi se “koha kur politikanët mund të ndikojnë në vendimet e gjykatësve dhe prokurorëve, ka përfunduar”.

Ahmeti, përpos Mickoskit, të dielën, letrën ua dërgoi edhe liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe atyre ndërkombëtarë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për të adresuar vendimet e fundit: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore (Balancuesin) dhe formimin e një Qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.

Përgjigje letrës së Ahmetit, i dha edhe ish-diplomati amerikan Daniel Server, njëherësh profesor në Universitetin “Johns Hopkins”, në Uashington.

Ai tha se për problemet që Ahmeti thekson në letër duhet të vendosin qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e jo dikush nga jashtë.

Sa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Server tha se nuk ka asnjë dilemë pasi është e rregulluar qartë me Marrëveshjen e Ohërit, dhe kjo nuk duhet vënë në dyshim.

“Nuk e kuptoj se si mund ta vësh në dyshim këtë detyrim pa krijuar më shumë probleme sesa Maqedonia tashmë ka. Kjo ishte një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së paqes të vitit 2001. Është e rëndësishme të ruhet”, ka thënë ish-diplomati Server.