Në vend të ziles e cila simbolizon fillimin e vitit të ri shkollor, në 1 shtator ministri i Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit shuan shpresat e nxënësve. Jo të gjithë do të mund të ulen në bankat shkollore në 1 tetor. Mësimi me prani fizike do të nis për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, ndërsa fati i nxënësve të tjerë do të varet nga kushtet që kanë shkollat. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se modeli tashmë i miratuar nga Qeveria nuk është zgjidhje por mbrojtje më e mirë nga Covid 19.

Ministrja e Arsimit, Mila Carovska tha se deri më 10 shtator do të mund të dorëzohen të gjitha kërkesat për realizim të mësimit me prani fizike. Carovska kërkoi nga mësimdhënësit që të kenë më shumë kujdes gjatë realizimit të procesit mësimor online, pasi puna e tyre do të mbikëqyret edhe nga Byroja dhe Inspektorati i Arsimit.

Në protokollet e miratuara për procesin mësimor parashikohen masa të shumta mbrojtëse kundër COVID-19, ndër to janë edhe mbajtja e detyrueshme e maskës, ruajtja e distancës fizike dhe dezinfektimi i vazhdueshëm i klasave. Përshëndetja me kontakt fizik për stafin e shkollës dhe nxënësit është e ndaluar. Gjatë mësimit në klasë, dritaret duhet të mbahen të hapura nëse kushtet klimatike e lejojnë një gjë të tillë, klasat duhet të ajrosen vazhdimisht. Gjithashtu, në protokollet për shkollat parashihet që nxënësit mundësisht të marrin ushqim nga shtëpia ndërsa ushqimi i siguruar nga shkolla duhet të jetë i paketuar dhe sipas standardeve.