Largimi i Dojna Memës nga Top Channel pak muaj më parë bëri shumë bujë në rrjete sociale. Ka qenë vetë moderatorja ajo e cila bëri të ditur largimin e saj duke mos dhënë më shumë detaje mbi arsyen pse u detyrua të merrte këtë vendim.

E ftuar në emisionin Why Not në Rtv Ora, Dojna foli për herë të parë mbi largimin e saj nga vendi ku punonte prej shumë vitesh.

Dojna tregon se në Top Channel ka filluar punë që në moshën 19 vjeçare, mirëpo tani në këtë fazë që ajo ka arritur nuk po përshtatej më.

“Për të gjithë njerëzit që më kanë ndjekur e dinë që kam që 19 vjeç në Top Media. Ishte e vetmja shtëpi mediatike që unë kisha patur ndonjëherë, pra nuk vija nga ndonjë eksperiencë e mëparshme.

Unë kam bërë vetëm Top Channel dhe ishte një vendim i vështirë të shkëputesha nga shtëpia ime e parë. Ishte një vendim i nevojshëm në një kohë kur unë kërkoja të bëja gjëra të mijat. Ka qenë një shkëputje shumë e butë dhe për këtë më vjen shumë mirë, ka qenë një shkëputje me respekt nga të dyja palët. Ishte një moment që unë kisha shumë nevojë të eksperimentoja me gjëra të reja.

Në këtë fazë Top Channel kishte një linjë editoriale që nuk përshtatej me gjërat që unë doja të bëja specifikisht, kështu që ishte më mirë për të dyja palët që të merrnim një shkëputje nga njëri-tjetri”– tregon Dojna.