SPB Shkup do të ngrit kallëzim penal kundër T.I. dhe E.N., të dyja nga Shkupi dhe kundër kopshtit privat për fëmijë, i cili gjendet në qarkun e shkollës fillore në rr. “Kryengritja e Karposhit” në Shkup, për shkak të ekzistimit të bazës për dyshim “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë kohës së pandemisë”, që dënohet sipas nenit 206 nga Kodi penal.

Nga MPB sot kumtuan se dje rreth orës 10:30, pas denoncimit paraprak nga një qytetar se kopshti për fëmijë punon dhe përkujdes fëmijë, nëpunës policorë nga NJPB Karposh kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast u konfirmua se kopshti për fëmijë punon dhe se janë takuar tetë fëmijë, ndërsa në të punojnë 12 persona, mes të cilëve edhe drejtoresha T.I. dhe pronarja E.N.

“Në koordinim me Prokurorin publik, në vendin e ngjarjes kanë dalë përfaqësues të Inspektoratit sanitar dhe shëndetësor shtetëror dhe Inspektoratit shtetëror të punës. Ata konstatuan se nuk janë respektuar protokollet për punë në kopshte për fëmijë në kushte të pandemisë së shpallur të koronavirusit, për të cilin shkak kopshtin për fëmijë e kanë mbyllur dhe i kanë njoftuar prindërit që t’i marrin fëmijët, të cilët janë përkujdesur në këtë objekt”, thuhet në kumtesën e MPB-së.