Banorët e Komunës së Tearcës, ende kanë ankesa për ujin e pijshëm. Thonë se për të pirë ujë ose duhet të mbushin nga burime larg fshatit ose duhet të blejnë.

“Uji jonë këtu nuk na bën. E kanë përzier me liqenin, në liqen ngordhin kafshë, bije shi, turbullohet dhe vjen baltë. U mbytëm tu blerë edhe bojlerë, kiamet. Tash na kanë informuar që mos të pimë. Edhe për tu pastruar nuk bën e jo për pije”, deklaroi një qytetar.

Tv21 dje ka vizituar edhe ambulancën e fshatit Tearcë, dy mjekët që i kanë takuar nuk deshën të flasin për këtë problematikë. Ata kanë thënë se mjaftë kanë folur dhe nuk e kanë ndërmend të merren me media.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Lëvizja BESA, ku nëpërmjet zëdhënësit të tyre ata theksuan se pasi që institucionet përkatëse ende vazhdojnë të heshtin për këtë rast, ata mundohen t’i heshtin edhe mjekët që të mos flasin për ndotjen e ujit dhe rreziqet që mund të paraqiten.

“Pasi që institucionet përkatëse ende vazhdojnë të heshtin për këtë rast, ata mundohen t’i heshtin edhe mjekët që të mos flasin për ndotjen e ujit dhe rreziqet që mund të paraqiten. Heshtja e komunës tregon se ata janë fajtorë, përpjekja për të heshtur edhe mjekët, tregon se ata janë ende më shumë fajtorë!”, tha Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Përpos Tearcës, ujin për pije, Instituti për Shëndet Publik e ndaloi edhe në fshatin Gllogjë dhe fshatin Përshevcë.