Banka Evropiane për Investime (BEI) ka siguruar kredi prej 28,9 milionë euro për ndërtimin e një seksioni të interkonektorit të gazit me Greqinë. Huaja e BEI e plotëson një grant prej 12,4 milion euro nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për asistencë teknike dhe zbatimin e projektit.
Marrëveshjen e huasë për realizimin e seksionit 68 kilometra, i cili fillon nga kufiri afër Gjevgjelisë dhe përfundon në afërsi të Negotinës, është nënshkruar dje nga ministri i Financave Fatmir Besimi dhe nënkryetarja e BEI-së për Ballkanin Perëndimor, Liljana Pavllova. Ky investim do të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe sigurinë e furnizimit me energji, duke siguruar zhvillimin socio-ekonomik dhe integrimin në tregun e energjisë në rajon dhe BE.
Ministri i Financave Besimi theksoi se interkonektori i gazit me Greqinë është ndër projektet më prioritare për të dy vendet, rajoni, si dhe për komuniteti energjetikë.
Drejtori Ekzekutiv i SHA “REN”, Bajram Rexhepi theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes dhe partneritetit me EIB për ndërtimin e interkonektorit të gazit natyror me operatorin grek DESFA, është me rëndësi të madhe për zhvillimin e sektorit energjetik në vend dhe rajon.
“Ky projekt do të na mundësojë të diversifikojmë dhe stabilizojmë burimet tona të furnizimit dhe do të na mundësojë të kemi qasje në një treg më konkurrues të gazit natyror. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që të ndërtojmë sa më shumë ura dhe të thyejmë sa më shumë barriera”, tha Rexhepi.
Shefi i Sektorit të bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së, Shtefan Hudolin, tha se interkonektori i gazit me Greqinë është i rëndësishëm si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucion për kreditimin afatgjatë të Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve anëtare të tij. Banka e BE-së është aktive në vend që nga viti 1977 dhe ka investuar 1 miliard euro, kryesisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në sektorin e transportit. Që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, BEI ka investuar 144 milionë euro në vendin tonë nën iniciativën “Team Europe” për rimëkëmbjen më të shpejtë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore.
Comments are closed for this post.