Kryetari Shpend Ahmeti dhe Drejtori për Inspeksion, Adonis Tahiri prezantuan punën e kësaj drejtorie gjatë muajit mars.

Drejtoria e Inpeksionit, e ndarë në Sektorin e ndërtimit, rendit komunal dhe pylltarisë, me kapacitetet që i ka po angazhohet që në terren të i evidentojë parregullsitë dhe po ndërmerr masa në secilin rast për të cilën ka kompetencë ligjore.

Gjatë muajit mars, Sektori i Rendit Komunal ka pranuar 271 lëndë, ka lëshuar 160 procesverbale, dhe ka dhënë mbi 150 gjoba. Përmes këtij sektori, janë ndërmarrë hapa konkrete për rregullin në trafik, duke ndaluar e gjobitur taksitë ilegalë, duke ndalur e gjobitur autobusët që e devijojnë linjën, duke kontrolluar e gjobitur edhe mjetet e transportit të mallrave, dhe çdo parregullsi tjetër që mbulon kompetenca e këtij sektori.

Në aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera, kanë mbetur të mbyllura 22 lokale të masazhave, të cilat nuk e kanë pasur pëlqimin sanitar ose nuk kanë qenë duke punuar gjatë kontrolleve.

Për ndotje të mjedisit, janë shqiptuar 7 gjoba, ku përfshihet hidhja e dheut, ndotja e rrugës me kamionë nga vendpunishtet, hedhja e mbeturinave me traktor në hapësirë të palejuar, si dhe parkimi në gjelbërim.

Inspektorët e Rendit Komunal, janë kujdesur që sheshi të mbetet i këmbësorëve, duke i larguar nga aty shitësit ambulantë ilegalë. 17 raste kanë qenë për shfrytëzim të hapësirës publike pa leje përkatëse, ndaj të cilave janë ndërmarrë masat adekuate nga inspektorët kompetent, kurse janë evidentuar 4 raste të dëmtimit të hapësirës publike të gjelbër.

Gjatë kësaj periudhe, Drejtoria ka ndërmarrë masa edhe ndaj kompanive të kontraktuara nga vetë komuna, e edhe nga institucionet tjera, kompani këto që bëjnë ndërhyrje dhe zhvillojnë punime infrastrukturore.

“I paralajmërojmë edhe njëherë të gjitha ato, që për secilin intervenim duhet leje përkatëse, duhet të sigurohet vendpunishtja, dhe të kthehet terreni në gjendjen e mëparshme, në të kundërtën, gjobat do të jenë progresive”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga komuna e Prishtinës.

Inspektorët e Rendit Komunal janë duke u angazhuar maksimalisht në lirimin e hapësirave publike, ku përjashtim nuk bën as ekspozimi i mallrave ushqimore dhe të tjera jashtë lokaleve.

Sektori i Ndërtimit, është një nga sektorët ku Drejtoria ka më së paku inspektorë, ka mbingarkesë të punëve, por pavarësisht kësaj punët në terren po tregojnë rezultate.

Gjatë muajit mars, pesë ekipet e inspektorëve të ndërtimit, kanë shpërndarë 123 fletëthirrje për palët, 116 procesverbale, 21 aktvendime për ndërprerje të punimeve dhe 4 aktvendime për rrënim.

Gjatë inspektimeve në terren, kryesisht për sigurim të vendpunishtes, janë shpërndarë 27 gjoba mandatore, duke ndryshuar gjendjen në terren dhe duke vetëdijesuar kompanitë që të I respektojnë rregullat dhe ndërmarrin masat e duhura.

Komisioni për inspektime finale, brenda këtij muaji do t’i përfundojë të gjitha lëndët e mbetura, dhe inspektorët që kanë qenë pjesë e këtij komisioni do të kthehen në terren si inspektorë të ndërtimit. Prandaj, të gjitha aplikimet e reja për inspektim final (ish-pranim teknik), tash e tutje duhet të drejtohen tek inspektori I zonës, e jo më tek komisioni. Pas përfundimit të secilës lëndë, raporti përfundimtar bartet në Drejtorinë e Urbanizmit, ku edhe lëshohet leja/certifikata e përdorimit.

Me vendim të Kryetarit të Komunës, drunjtë e konfiskuar nga Sektori I Pylltarisë, janë bartur tek Drejtoria e Mirëqenies Sociale, e cila i ka shpërndarë tutje tek 63 familje në nevojë.

“Në funksion të parandalimit të ndotjes së ambientit, nga data 1 maj, Drejtoria e Inspekcionit do të fillojë gjobitjen e të gjitha bizneseve që e bëjnë shpërndarjen e fletushkave/broshurave nëpër rrugë, vetura, ndërtesa kolektive e ngjashëm.

Ftojmë kompanitë dhe bizneset që ta ndalin këtë lloj të marketingut dhe konsiderojnë forma tjera të reklamimit, në të kundërtën, secili rast i evidentuar do të gjobitet me 90 Euro gjobë mandatorë”, thuhet tutje në komunikatë.