Për ushqim, më të varfrit shpenzojnë 74 euro në muaj, ndërsa më të pasurit 340 euro. Mesatarisht, një familje ka nevojë për 528 euro për ta kaluar muajin – gjegjësisht për t’i mbuluar shpenzimet e nevojshme të jetesës. Në periudhën e kaluar, megjithëse inflacioni është në termat e parashikuar, ndërsa sipas parashikimeve, ai do të rritet në dy vitet e ardhshme, që do të thotë se ka mundësi të ketë një valë të rritjes së çmimeve. Përqindjet e inflacionit në nivel prej rreth 2%, sipas ekonomistëve, nuk janë shqetësuese, por në kushte kur rrogat rriten ngadalë, çdo shtrenjtim ndikon në standardin jetësor, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

Vetëm për ushqim dhe për pagesën e faturave, një familjeje i nevojiten rreth 400 euro në muaj. Të dhënat më të fundit për shpenzimet mujore përmes shportës minimale të sindikatës tregojnë se në tetor, 73.5% e shpenzimeve mujore përfundojnë për të plotësuar nevojat themelore – ushqim dhe pagesën e faturave. Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, të njëjtin muaj, shpenzimet ndoshta janë rritur për shumë pak, për rreth 190 denarë, megjithatë kjo tregon se ato janë në rritje. Sipas asaj se sa para nevojiten për t’i plotësuar nevojat themelore të jetesës, përmes shportës minimale të sindikatës – të dhënat tregojnë se për ushqim dhe pije, çdo muaj duhet ndahen nga 13.486 denarë, për banim 10.407 denarë, për higjienë 2.300 denarë, për transport 2.386 denarë, për veshje dhe këpucë 2.168 denarë, për kulturë 1.070 denarë dhe për ruajtjen e shëndetit 686 denarë. Kundrejt këtyre të dhënave që i mat Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, të dhënat zyrtare nga Enti i Statistikave tregojnë se familjet më të varfra, gjegjësisht ato me të ardhura më të ulëta, vetëm për ushqim shpenzojnë 900 euro në vit ose 74 euro në muaj, ndërsa ata me të ardhura më të larta, për ushqim shpenzojnë 4.5 herë më shumë, 4.044 euro në vit ose gati se 340 euro në muaj. Mesatarisht, nga paratë e përgjithshme që përdoren brenda një familjeje, gati se 38% shkojnë për ushqim, 11.4% për pagesën e faturave, për qira, ujë, rrymë elektrike, gaz, 5.4% e mjeteve të përdorura shpenzohen për mobile dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, 5,1% për veshje dhe këpucë dhe po aq për transport. Përndryshe, sipas të dhënave të fundit, në nëntor të këtij viti, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e jetës janë rritur për 1.2%, me ç’rast rritje më të lartë prej 4.8% ka në grupin “pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët”, shpenzimet për “shëndet” janë rritur për 2%, ndërsa për “transport” rritja ishte 4.7%. Rritje të shpenzimeve të jetesës ka edhe për rekreacionin, kulturën, restorantet, hotelet. Të dhënat nga publikimi më i fundit i Entit të Statistikave “Shpenzimet e amvisërive në Republikën e Maqedonisë, 2017” tregojnë se për madje 61.1% të familjeve burimi i parave që i kanë në dispozicion është rroga nga marrëdhënia e rregullt e punës, ndërsa te 18,5 % ai është pensioni, që do të thotë se mbi dy të tretat e familjeve jetojnë nga rroga, transmeton Portalb.mk.