Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan dhe Prokuroria Themelore në Gjilan, kanë nisur hetimet lidhur me një rast të mashtrimit me apel për ndihmë, ku janë dhuruar 94 mijë euro për një person i cili nuk “ekziston”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, për Telegrafin konfirmoi nisjen e hetimeve, por tha se nuk mund të japin më shumë detaje.
“Me Prokurorinë Themelore në Gjilan jemi duke punuar ngushtë për zbardhjen e rastit, por në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japim më shumë informacione”, deklaroi ai.
Ndryshe, ditë më parë një person i prezantuar si Armend Morina nga qyteti i Mitrovicës, u lajmërua në rrjete sociale e media për të kërkuar ndihmë financiare për vëllanë e tij Blerim Morinën, për të cilin tha se është 24-vjeçar dhe është diagnostikuar me leukemi akute.
Lajmi u publikua në shumë media në Kosovë, përfshirë edhe Telegrafin, që veproi si shumë herë të tjera në tentativë për të ndihmuar në shërimin e Blerim Morinës.
Lajmi i shpërndarë në media dhe thirrjet për ndihmë në rrjetin social TikTok mobilizuan njerëzit e vullnetit të mirë dhe brenda pak orëve, në emër të tij u mblodhën hiç më pak se 94 mijë euro.
Figura të njohura në këtë rrjet social u vunë në krye të fushatës, ndërsa jo të paktë ishin edhe qytetarët që ofruan shuma të majme të parave për të ia shpëtuar jetën Blerimit.
Por, vetëm pas pak ditësh doli se e gjitha ishte një mashtrim i madh.
Persona publikë e media ranë në kurthin e Armend Morinës, i cili, përveç të tjerash, kishte hapur edhe llogari në njërën nga bankat kosovare.
Morina duket se kishte planifikuar gjithçka. Ai, përveç apeleve publike, u kishte shkruar edhe bizneseve të ndryshme, duke kërkuar para në emër të vëllait.
Por, i sëmuri nga leukemia akute duket të mos jetë kuruar askund.
Kiks Kosova ka kontaktuar edhe Spitalin rajonal të Mitrovicës, për të pyetur nëse Blerim Morina kishte kërkuar trajtim në këtë institucion, por ata, përmes telefonit, kanë theksuar se fakti që nuk kanë një sistem elektronik të menaxhimit, nuk mund të dinë nëse Morina kërkoi trajtim aty.
Por, kanë theksuar se ky spital nuk ka repart për trajtimin e personave që vuajnë nga leukemia akute.
Blerim Morina nuk është trajtuar asnjëherë as në QKUK. Drejtori i Hematologjisë, Shemsedin Sadiku, i ka thënë KIKS Kosovës se në protokollet e këtij reparti nuk figuron emri i tij.
“Kemi shikuar protokollin e të sëmurëve për trajtim jashtë vendit për vitin 2022, por pacienti i cekur më lartë-Blerim Morina me Dg. Leukemi akute, nuk është gjetur se është dërguar nga Konzilium i Klinikës së Hematologjisë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë për Telegrafin kanë bërë të ditur se i njëjti nuk rezulton të ketë aplikuar për ndihmë financiare në Fondin e Sigurimit Shëndetësor.
“Pacienti në fjalë nuk rezulton të ketë aplikuar për ndihmë financiare në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, përkatësisht Zyra për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Apeli për Blerimin u zhduk, e po ashtu edhe vëllai i tij, Armendi. I njëjti është provuar të kontaktohet disa herë përmes telefonit, por pa sukses.
Comments are closed for this post.