Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, ka zhvilluar një takim me deputetët e Parlamentit Evropian, ku përmes një bisede të hapur dhe konstruktive kanë konfirmuar se pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballet Evropa, Bashkimi Evropian duhet të mbetet aktiv në rajon dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Progresi është i mundur, ne besojmë se ka një zgjidhje, por lidershipi evropian dhe vullneti politik nga të dyja palët duhet të tregohet. Parlamenti Evropian mund të ndikojë në politikën e Bashkimit dhe ne presim që mbështetja që marrim të realizohet në veprim”, tha Mariçiq në takim.

Eurodeputetët në takimin me zëvendëskryeministrin rikonfirmuan përkushtimin për zgjerimin e Unionit me rajonin dhe theksuan se presin që debati në BE të vazhdojë për çështjen dhe rëndësinë e zgjerimit të Unionit, për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit.

“Besoj se eurodeputetët e vlerësojnë vërtet rolin e Maqedonisë së Veriut në rajon dhe si partner bilateral i Bashkimit Evropian. Ne duhet t’i kishim filluar negociatat shumë kohë më parë dhe ka humbur mjaft kohë, tani është një moment historik për vendime historike”, shtoi Mariçiq.

Në takim u diskutua edhe për vizionet thelbësore për të ardhmen e BE-së, si dhe për pikëpamjet e eurodeputetëve për zhvillimet politike në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendëskryeministri në fund rikonfirmoi qëndrimin e Maqedonisë në negociatat me Bullgarinë dhe tha se ne mbetemi të përkushtuar për integrimet tona evropiane sepse e meritojnë qytetarët, të cilët e kanë pranuar sfidën e transformimit dhe evropianizimit të shoqërisë.