Maqedonia e Veriut do të pranojë propozimin e presidencës franceze për fillimin e negociatave me BE-në nëse çështja e gjuhës maqedonase nuk problematizohet në kornizën e negociatave dhe nuk përfshihen çështjet historike dhe nëse fillimi i procesit të negociatave nuk lidhet me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, tha zv. kryeministri Bojana Mariçiq dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani.
Ndërkaq, Kuvendi Kombëtar i Bullgarisë dje me 170 vota “pro”, 37 “kundër” dhe 21 “abstenim” miratoi dokumentin e njohur në opinion si “propozim francez” për zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Vendimi i Parlamentit bullgar, i propozuar nga kreu i Bullgarisë Demokratike (DB), Hristo Ivanov, i jep dritën jeshile kryeministrit në dorëheqje Kiril Petkov “për të miratuar kornizën negociuese dhe konkluzionet e propozuara nga Presidenca franceze me Këshillin e BE që të zgjidhë marrëdhëniet komplekse mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nëse plotësohen disa kushte”.
“Zbatimi efektiv i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, garantimi i të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes përfshirjes së tyre në Kushtetutë, në procesin e anëtarësimit të RMV asgjë të mos interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Bullgaria dhe BE-ja të garanton që të gjithë kjo do të përmbushet, janë kushtet e vendosura nga Sofja me vendimin e miratuar dje.
Në reagim ndaj këtij vendimi, kryeministri bullgar i dorëhequr Kiril Petkov njoftoi se Kuvendi Kombëtare Bullgare “miratoi një vendim historik që i jep dritën jeshile propozimit francez për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”. Integrimi në Ballkanin Perëndimor është me interes strategjik për BE-në” tha Petkov.
Vendimin e Kuvendit të Bullgarisë e përshëndetën presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Edi Rama.
Presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e rradhës të BE-së, përshëndeti vendimin e parlamentit bullgar, duke njoftuar se procesi po vazhdon.
Comments are closed for this post.