Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka sjellë vendim që të largojë ngjitëset për regjistrimin e makinave. Sportelet e MPB-së në stacionet për inspektim teknik të makinave, nga fillimi i muajit nuk do të japin ngjitëse, të cilët shoferët kanë qenë të detyruar t’i vendosin në këndin e djathtë të xhamit të përparmë të makinës.

Nga MPB thonë se ngjitëset do të largohen, pasi me ta dyfishohet detyrimi për të treguar regjistrimin e makinës, e cila konfirmohet edhe me vulë në lejen e makinës.

Për largimin e ngjitëseve, akoma nuk janë miratuar ndryshimet në Ligjin e ri për makinat. Nga MPB thonë se nuk i kanë pritur ndryshimet ligjore, për shkak se janë harxhuar ngjitëset rezerva, ndërsa largimin e tyre e kanë bërë me vendim të qeverisë.

Zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski, për “A1on” tha se vendimi për të larguar ngjitëset ka qenë zgjidhje e thjeshtë, në kushte kur blerja e ngjitëseve të reja financiarisht është e paarsyeshme, për shkak të kohës së shkurtë të përdorimit të tyre.

Ndryshe, vendimi për posedim të ngjitëseve për regjistrimin e makinës u miratua në fillim të vitit 2014, me qëllim që të ulet numri i makinave të paregjistruara në komunikacion.

Për ngjitëset pronarët e makinave gjatë regjistrimit të makinës kanë paguar shtesë 60 denarë.

Gjatë pesë viteve të kaluar, policia shoferët i ka dënuar edhe për mosposedim të ngjitëseve. Dënimi për mos pasjen e ngjitëses në xhamin e makinës, ka qenë deri 500 euro, aq sa është dënimi edhe për makinën e paregjistruar.