Besimtarët ortodoksë sot e festojnë Shën Mërinë, një nga festat më të mëdha kushtuar Nënës së Zotit. Shkupjanët, tradicionalisht, në këtë ditë e vizitojnë manastirin kushtuar Shën Mërisë në Matkë, ku këtë vit festimi do të jetë në pajtim me masat për mbrojtje nga koronavirusi.
Me rastin e festës, kryetari i KOM – AO, z.z. Stefani do të shërbejë liturgji të rastit. Pas shërbesës në oborrin e manastirit, do të mbahet edhe aksion tradicional i dhurimit të gjakut.
Festa me këtë rast filloi dje pasdite, me shërbesë të natës në oborrin e manastirit, në ambient të hapur.
Në manastir do të hyhet në derën e përparme, ndërsa nga atje do të dilet në derën e prapme. Secili vizitues, për të hyrë, do të duhet të mbajë detyrimisht maskë. Gjithashtu në hyrje do të matet edhe temperatura. Besimtarët dhe vizituesit do të duhet të kenë kujdes dhe të mbajnë distancë prej 1,5 metër.
Duke pasur parasysh rregullat ligjore dhe kushtet e miratuara nga ana e Komisionit për sëmundje ngjitëse, nuk do të ketë shërbim të ushqimit dhe pijeve, si dhe program kulturor-argëtues. Është paraparë edhe shitore e jashtme me prodhime dhe suvenire të manastirit. Në ditën e festës në oborr do të vendoset edhe tryezë për shenjtërimin e ëmbëlsirave të festës.
Comments are closed for this post.