Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski refuzon ftesën e oponentit tij politik, Zoran Zaev për takim liderësh me qëllim arritjen e një konsensusi mbi Ligjin për Prokurorinë Publike. Mickoski pohon se çështja i është besuar grupeve të punës dhe derisa rezultatet e para për kompromis nuk burojnë nga ekipet e ekspertëve, nuk ka logjikë për takim mes tij dhe Zaevit. Tekstin e propozuar në Kuvend, lideri i opozitës e vlerëson si amnisti ndaj LSDM-së për krimet e bëra.

Ky tekst që është propozuar tani, praktikisht ka për qëllim mbrojtjen e strukturave kriminale të LSDM-së e cila pas 12 prillit do të jetë opozitë. Nëse duhet takohemi sa për sy e faqe, unë nuk e kam për qëllim t’ia humb kohën Zaevit dhe as qytetarëve. Për këtë çështje janë grupet e punës të cilat takohen javën që vjen dhe nëse i afrojnë qëndrimet, atëherë mund të flasim për diçka konkrete si takim liderësh- tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Lideri socialdemokrat edhe njëherë ftoi Mickoskin në takim. Që Kuvendi të ketë kohën e mjaftueshme për të miratuar propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike, Zaev pretendon që takimi të mbahet javën që vjen.

Nëse takohemi, duhet të bëhet këtë javë sepse më pas vijnë procedurat parlamentare, komisionet, seanca plenare etj. Fundja nuk është vetëm Mickoski dhe Zaevi që duhet të merren vesh, janë edhe liderët e partive tjera politike dhe grupi i pavarur parlamentar shumë i rëndësishëm për këtë proces. Besoj fuqishëm se do të sigurohet shumica prej 2/3 për shkak të përgjegjësisë dhe obligimit që e kemi para shtetit dhe qytetarëve. Besoj se grupet e punës do të na sinjalizojnë nëse ka përafrime të qëndrimeve- deklaroi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së

Javën që vijon grupet e punës mes pushtetit dhe opozitës do të takohen me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për propozim-ligjin i cili gjendet në procedurë parlamentare. Dyja palët aktualizuan negociatat pas kërkesës së komisarit të BE-së, Oliver Varhejli i cili gjatë qëndrimit të tij në Shkup porositi që Ligji për Prokurorinë Publike të miratohet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.