Kuvendi nuk arriti të mbajë seancë për anulimin e regjistrimit të popullsisë, për ç‘gjë ishin marrë vesh liderët e dy partive politike maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski. Dy të fundit kanë thënë se regjistrimi duhet të shtyhet për shkak të situatës së rënduar me pandeminë e koronavirusit.

“Përkundër këmbënguljes sime gjatë ditës së mërkurë për harmonizimin e qëndrimeve të të gjitha partive politike, për arritjen e marrëveshjes dhe mbajtjen e dy seancave, në të cilat do të votoheshin propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2021 dhe propozim-ligji për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës, që skadon sonte [e mërkurë] në ora 24:00, nuk u arrit marrëveshje”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Në mbledhjen me drejtuesit e grupeve parlamentare, siç bëri të ditur Xhaferi, të gjitha partitë, përveç Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, kanë shprehur gatishmëri për mbajtjen e seancës.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që janë në opozitë, të martën kanë deklaruar se do të bllokojnë miratimin e ligjit për shtyrjen e regjistrimit.

Mosmiratimi i ligjit, ndërkohë, ka lënë pezull regjistrimin e popullsisë që duhet të nisë sot, më 1 prill.
Nga Enti Shtetëror i Statistikës kanë fajësuar partitë politike për gjendjen e krijuar, duke thënë se ato, pa konsultim me Entin, kanë nisur procedurën për anulimin e regjistrimit.

Nga Enti kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi nuk do të fillojë, meqë, siç është thënë, “një proces i tillë më tepër do të ishte improvizim sesa regjistrim, duke e ditur se partitë, të enjten apo të premten, do të miratojnë ligjin për shtyrje të regjistrimit”.
Por, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, ka thënë të mërkurën se regjistrimi, sipas ligjit aktual, duhet të fillojë më 1 prill.

Ndryshe nga ai është shprehur kryeministri Zoran Zaev.

Sipas tij, edhe pse më 1 prill ligjërisht fillon regjistrimi, nuk ka logjikë që Enti i Statistikës të fillojë zbatimin.

“Është dërguar një mesazh i qartë se një shumicë më e madhe, madje më e madhe se 2/3 ka qëndrim për shtyrje të regjistrimit për 5-30 shtator. Në këtë rast nuk ka arsyetim logjik që dikush të firmosë për nisjen e regjistrimit… Kemi shumicë të dyfishtë, kemi edhe më shumë se 2/3 e votave, edhe pse ligji miratohet më shumicë të thjeshtë”, ka deklaruar Zaev.

Opozita shqiptare thotë se mbetet në qëndrimin për të parandaluar anulimin e regjistrimit.

“Ne do të përdorim Badenterin (mekanizëm për mbrojtjen e pakicave nga mbivotimi apo votimi i dyfishtë) për një çështje, që të vetëdijesohen deputetët shqiptarë që janë në Kuvend, se nuk guxojmë të lejojmë që dikush ta marrë me tallje procesin e regjistrimit dhe duke kamufluar me sigurinë epidemike shëndetësore, të sjellë vendime politike”, ka deklaruar Skënder Rexhepi, kryetar i grupit parlamentar të opozitës shqiptare.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 1 mars me regjistrimin e diasporës. Procesi ka mobilizuar partitë shqiptare që t’i bëjnë thirrje diasporës që të përfshihet në regjistrim, për të rritur edhe më shumë numrin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.