Pas vendimeve mbi paditë të dorëzuara nga partitë politike në Gjykatën Administrative lidhur me zgjedhjet, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve këto ditë duhet t’i publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe t’ua kthejë vendimet deputetëve të rinj të zgjedhur, të cilët më së voni më 4 gusht do të duhet të mblidhen në seancën konstituive në Kuvend.
Sipas Kushtetutës më pas fillojnë të rrjedhin afatet prej 10 plus 20 ditëve për formimin e Qeverisë së Ardhshme.
Sipas Kushtetutës, përbërja e re parlamentare duhet të formohet në seancën konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Atë e thirr kryeparlamentari i përbërjes së kaluar parlamentare, ndërsa nëse një gjë të tillë nuk e bën ai, atëherë deputetët vetë mblidhjen dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21, numëruar që nga dita e zgjedhjeve.
Sipas Kushtetutës, pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti i Shtetit në afat prej 10 ditësh duhet t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë, partisë apo partive që kanë shumicë. Mandatari ka afat 20 ditë që ta formojë Qeverinë dhe nëse nuk e arrin një gjë të tillë, atëherë mandati i kalohet partisë së dytë me më së shumti mandate në zgjedhje.
Sipas rezultateve jozyrtare më së shumti mandate në zgjedhjet e 15 korrikut ka fituar Lidhja Social Demokrate, gjegjësisht 46 mandate, më pas VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Kalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, Partia “E Majta” 2 dhe PDSH 1 mandat.
Deri në formimin e Qeverisë, vazhdon të mbetet në funksion Qeveria Teknike e udhëhequr nga Oliver Spasovski, por pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, duhet të tërhiqen 5 zëvendësministrat shtesë dhe ministri teknik i punëve të brendshme Naqe Çulev.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, me MPB-në do të udhëheq zëvendësministri aktual, Agim Nuhiu, ndërsa me Ministrinë e Punës dhe Politikës sociale, zëvendësministri, Gjonul Bajraktar.
Comments are closed for this post.