Këshilli Republikan për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor (KRSKRr) në prag të festave të majit, u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion të veprojnë me përgjegjësi, ta respektojnë sinjalizimin e vendosur të komunikacionit, të mos vozisin nën ndikimin e alkoolit dhe t’i ndjekin rregullat për kufizimin e shpejtësisë.

Apel të veçantë ju drejtohet shoferëve të rinj, si kategoria më e prekshme e pjesëmarrësve në komunikacion, të marrin pjesë në mënyrë të matur dhe të jenë të përgjegjshëm në trafik sepse, potencojnë, “vetëm në këtë mënyrë ata do të arrijnë të sigurt në destinacionin e dëshiruar”.

“Dita Ndërkombëtare e Punës, përdoret më shpesh për udhëtime, ekskursione në natyrë dhe shoqëri me familjen dhe miqtë. Pandemia me Kovid 19, ndalesa për tubime në grupe më të mëdha, rekomandimet për distancën sociale dhe kufizimi i pjesshëm i lëvizjes, do ta lënë shenjën e tyre këtë vit dhe do të ndikojë në mënyrën se si do të festohen dhe si qytetarët do të sillen në këtë festë. Shumë qytetarë do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre këtë vit, ndërsa disa sigurisht do ta përdorin këtë mundësi feste për të udhëtuar tek të dashurit e tyre, në vikend- shtëpizat, në male, në liqen, …. Për shumë qytetarë kjo do të jetë mundësi për të dalë nga izolimi, mundësi për të “marrë” ajër të pastër, për t’u mbushur me energji të re, optimizëm, forca të reja, ide, vizione,… Sigurisht, kjo situatë është e mirëpritur dhe rekomandohet në këto momente”, thekson KRSKR.

Në këto momente, potencon KRSKRr është e rëndësishme të dihet, të ruhet sensi dhe përgjegjësia e përbashkët, të respektohen të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve kompetente në mënyrë që të mbrohemi nga përhapja e mëtejshme e virusit. Humori i mirë i festave duhet të mbetet, të jetë i pranishëm dhe të vazhdojë pas festave.

“Pjesëmarrja e ndërgjegjshme në komunikacion është një reflektim i njerëzve të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm dhe për këtë arsye KRSKRr edhe një herë apelon për pjesëmarrje të përgjegjshme dhe të kujdesshme në trafik, sepse pasojat dhe humbjet nga aksidentet në komunikacion janë fatale, të përhershme dhe të pariparueshme. Rrjedha e sigurt e trafikut varet nga të gjithë ne individualisht, nga vendimet tona personale dhe veprimet që ndërmarrim. Kështu që mendoni në kohë. Të mos pendoheni për pasojat, jini pjesëmarrës të përgjegjshëm në trafik. Pjesëmarrja e kujdesshme dhe e përgjegjshme në trafik, ngasja e kujdesshme është një parakusht themelor për pushime të sigurta”, thekson KRSKR duke u uruar udhëtarëve festa të sigurta.