Në prag të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, reis.ulema h. hfz. Shaqir efendi Fetai theksoi se muaji i Ramazanit është muaj i begative të shumta, rast i formimit të personalitetit tonë, të pastrimit tonë shpirtëror dhe fizik, të fisnikërimit të shpirtit, të trupit tonë, të të menduarit, të forcimit të lidhjeve tona reciproke, të kultivimit të respektit dhe të thellimit të dashurisë ndaj njëri-tjetrit.
Me rastin e ardhjes së këtij muaji të madh, i drejtohemi me lutje të Madhit Zot që të ndërpriten të gjitha konfliktet luftarake sepse në konfliktet e këtilla pësojnë njerëzit e pafajshëm, hapen plagë të pashlyera te njerëzit, që formojnë psikologji të dhunës, të urrejtjes, të vrasjes e të shfarosjes së qenies njerëzore.
“Ky muaj është edhe rast i volitshëm i pajtimit tonë, i shtrirjes së ndihmës atyre që kanë nevojë – në veçanti, të varfërve dhe skamnorëve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jemi më afër kënaqësisë dhe faljes së Allahut Fuqiplotë. Më lejoni që në emër të BFI së RMV-së dhe në emrin tim t’ju shpreh urime të përzemërta me këtë rast, me lutje Allahut Fuqiplotë që të na japë forcën e imanit, vetëdijen e lartë, vullnetin e paluhatshëm, që me përkushtimin më të madh të kryejmë agjërimin. Ibadetet dhe lutjet tona të sinqerta – në veçanti, lutjet tona për një botë në paqe e tolerancë shkojnë konform fjalëve të Muhamedit (a. s.): “O ju që keni besuar. Agjërimi është bërë obligim për ju sikur ka qenë obligim edhe për ata që ishin para jush. Për t’ju bërë më të devotshëm.”(El: Bekaretu: 183)”, theksoi Fetai në mesazhin e tij.
Në këtë muaj, thekson ai, kryejmë njërën ndër shtyllat e Islamit – agjërimin e ditëve të tij, që është obligim i deryrueshëm, ku abstenojmë nga haja dhe pija dhe punët e shëmtuara për hir të Allahut Fuqiplotë. Ky muaj është muaj i dijes, sepse në të zbriti imperativi për të lexuar, për të mësuar, për të hulumtuar, me qëllim që të njohim krijimtarinë e Allahut Fuqiplotë. Përmes agjërimit dhe dijes ne e kuptojmë qëllimin kryesor të jetës, e ai është kujdesi ndaj njeriut, që shprehet përmes paqes, tolerancës, humanitetit dhe solidaritetit. Në këtë ambient të lidhshmërisë sonë me Krijuesin, i drejtohemi Madhërisë së Tij me lutjet tona për të falur lëshimet, gabimet dhe të mëkatet”, thekson Fetai me rastin e fillimit të muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Comments are closed for this post.