Shtabi i krizës pranë komunës së Tetovës sot mbajti mbledhjen e rradhës lidhur me menaxhimin e situatës me covid19, me ç’rast u raportua me sa vijon:
Në Tetovë dhe 5 komunat përreth, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me #COVID19 është 3811. Nga ky numër deri më tani janë shëruar 2606 persona kurse 151 kanë ndërruar jetë, me çka numri i rasteve aktive në Tetovë dhe 5 komunat përreth është 961.
Në Spitalin klinik të Tetovës janë gjithsej 45 pacientë me përmbajtje oksigjeni, kurse rastet me pasqyrë të mesme apo të lehtë klinike vazhdojnë të marrin terapinë e duhur shëndetësore në shtëpi, nën mbikqyrje të mjekëve amë.
Gjatë javës që kaloi numri i rasteve të reja me COVID19 ka shënuar një rënie të vogël, por gjendja epidemiologjike edhe pse e qëndrueshme, vazhdon të mbetet kritike.
Edhe në cerdhet dhe shkollat fillore dhe të mesme kemi një reduktim të numrit te rasteve me covid19, gjegjësisht në çerdhet e kopshtit “Rinia” në Tetovë kemi 2 raste aktive dhe asnjë grup të fëmijëve në izolim. Në shkollat fillore janë 14 mësimdhënës pozitiv dhe 4 grupe klasore në izolim shtëpiak. Në shkollat e mesme i kemi 14 mësimdhënës pozitiv me COVID19, kurse procesi i mësimit në distancë zhvillohet sipas planit të paraparë!
Gjatë javës së kaluar, sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse janë shqiptuar kallëzime për kundërvajtje për gjithsej 493 persona. Gjithashtu nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor në rajonin e komunës së Tetovës, janë lëshuar 647 vendime të reja për izolim të detyrueshëm, kurse ndaj 1214 personave me vendime të tilla janë kryer kontrolle dhe nuk është konstatuar asnjë shkelje.
Apelojmë që qytetarët të mbeten të përkushtuar dhe të disiplinuar në respektimin e masave dhe protokoleve mbrojtëse shëndetësore në luftën kundër pandemisë së covid19. Angazhimi i gjithësecilit prej nesh dhe vetëdija e lartë qytetare janë parakushti kryesor për ta tejkaluar me sukses këtë pandemi dhe sfidë globale.
Comments are closed for this post.