Kosova nuk ka shënuar rezultate të prekshme në sferën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme, ani pse konfiskimi mbetet çelësi kryesor për luftimin e krimit dhe korrupsionit.Kështu u tha me rastin e publikimit të raportit “Mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Me rastin e publikimit të këtij raporti, u theksua se Kosova ka legjislacion të mirë në sferën e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme, por që nevojiten rezultate konkrete.
Kryetari për sundim të ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuk, tha se Kosova ka një legjislacion të mirë sa i përket konfiskimit të pasurisë së firuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe sipas tij tash mbetet të shihen rezultatet konkrete.
“Ne kemi diskutuar shumë për konfiskimin si temë dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsioni, çfarë ka mbetur kur projekti lëshon Kosovën është se ka mbetur një kornizë shumë e mirë, shumë solide për luftimin e këtyre veprave penale. Besoj që edhe gjyqtarët, po edhe prokurorët janë përgatitur shumë mirë në këtë aspekt dhe janë të njohur me regjimin e këtyre dhe ato që priten është konkrete, pra gjëra konkrete, që do të thotë rezultat konkret, konfiskim. Kjo është ajo suksesi që do ta lërë ky projekt”, tha ai.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi tha se Kosova nuk ka shënuar rezultate në konfiskimin e pasurisë, por që tha se çelësi i luftimit të korrupsionit është konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Ai u shpreh se janë duke punuar me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e vlerave të demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit, por edhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Është e vërtetë se deri më tani nuk kemi pasur rezultate të prekshme në sferën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë. Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit është konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Vetëm atëherë kur të konfiskojmë pasurinë e dimë që jemi në rrugën e duhur dhe e dimë që kemi ndërmarrë veprime për marrjen praktikisht të pushtetit ekonomik nga duart e grupeve kriminale, sepse nëse e lëmë të paprekshme pasurinë e përfituar me veprën penale ekziston rreziku se mund grupet kriminale edhe t’i përsërisin veprat penale, po në raste të caktuara edhe t’i korruptojnë bartësit e funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale. Kjo është arsyeja pse në këtë sferë duhet të jemi më të vëmendshëm dhe tash kemi legjislacion të mirë, i cili na lejon që të konfiskohet pasuria pasi të merret një aktgjykim dënues”, tha ai.
Comments are closed for this post.