Pjesëtarët amerikan të KFOR-it kanë gjetur në një mulli të vjetër të fshatit Banjskë të Zveçanit mjete të dyshimta, për të cilat më pas ka ndërmarrë veprime Policia e Kosovës, transmeton Anadolu.

Policia nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri të ditur se është njoftuar nga KFOR-i Amerikan se bëhet fjalë se ka hasur në uniforma ushtarake, granata dore, municion dhe pajisje të tjera.

“Njësitë policore menjëherë kane reaguar në lidhje me këtë rast, ku më pas kanë konfiskuar mjetet e dyshimta si: uniforma ushtarake, 3 gjoksore për mbajtje të armatimit, 1 palë pantallona, 3 xhaketë, 1 bluzë, 3 granata dore, 3 karikatorë të zbrazët të armës së gjatë, 2 bomba shokuese, 1 bombë ndriçuese dhe 28 fishekë të armës së gjatë”, njofton Policia.

Tutje bëhet e ditur se të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve’’.

Më 24 shtator të vitit 2023, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit kishte ndodhur një nga sulmet më të rënda nga një grup i armatosur serb në drejtim të Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri kosovar Afrim Bunjaku dhe disa prej pjesëtarëve të grupit të armatosur. Për këtë rast, përgjegjësinë e organizimit të sulmit e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilin Kosova po kërkon që Serbia ta dorëzojë tek autoritetet kosovare për t’u përballur me drejtësinë.