Turizmi është në prag të kolapsit. Edhe këtë vit pritjet nga sektori janë që sezoni turistik të jetë po aq katastrofik sa në vitin 2020. Përveç hotelierëve edhe veprimtaritë tjera në këtë sektor bëjnë apel për masa shtesë për ta shpëtuar turizmin. Agjencitë turistike thonë se nuk ka ndihmë të vazhdueshme, grantet e dhëna nga shteti nuk mbulojnë as një pjesë të humbjeve që kishin vitin e kaluar.

Kërkesa jonë është që të kemi vazhdimësi në ndihmë, si me paga ashtu edhe me subvencione me ndihmë financiare për mbijetesën dhe likuiditetin e këtij sektori. Fatkeqësisht për vendin dhe jashtë, siç e shohim situatën, nuk jemi pozitiv dhe nuk pritet që gjërat të përmirësohen në të ardhmen e afërt – tha Ana Marija Aleksova – Agjenci udhëtimi.

Ministria e Ekonomisë pretendon se monitorojnë situatën, por tani për tani ata mbeten vetëm në masat e propozuara nga Qeveria. Këtë vit, vauçerët për turizëm nuk do të shpërndahen si vitin e kaluar, kur të gjithë qytetarët që kishin të ardhura deri në 15,000 denarë morën 6,000 denarë. Tani për tani, është njoftuar se do të jepen “vauçerë ” për qytetarët me të ardhura të ulëta, do të kthehet kjo masë, e cila u zbatua në 2018 dhe 2019, para krizës. Punëtorët me të ardhura të ulëta do të aplikojnë vetë, me mundësi të marrin 12 mijë denarë për pushime. Por, ndryshe nga viti 2018, tani do të jepen dyfish më pak para sesa në vitet e mëparshme.

Këtë vit, sipas buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë, vendosëm të shkojmë me 15 milion denarë siç thatë për pjesën e parë të vitit, natyrisht deri në fund të vitit nëse do të përdoren mjetet, do të gjejmë të tjera mundësi brenda Ministrisë së Ekonomisë, por pse jo edhe të plotësojmë fondet me një rebalans – deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror për Statistikë në vitin 2020 numri i turistëve vendas dhe të huaj është ulur për 60.5 për qind. Hyrjet devizore për turizmin u ulën për 36.3 për qind ose pothuajse 150 milion dollarë më pak para, krahasuar me vitin 2019 kur arriti në 395 milion dollarë.