Si rezultat i krizës energjetike, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se do të mundësojë furnizim me qymyr për qytetarët dhe bizneset.

Sipas një njoftimi nga KEK, duke u bazuar në masat e ndërmarra të Qeverisë për zbutjen e krizës energjetike dhe duke iu referuar rekomandimit të Komitetit Teknik Emergjent, nga data 20 tetor i këtij viti, do të fillojë procesi i shitjes së qymyrit për qytetarë dhe biznese.

“Për këtë qëllim, KEK ka ndarë një sasi prej rreth 150,000 ton, qymyr në minierën e Sibovcit Jug-Perëndim dhe ky proces është planifikuar te kryhet brenda 60 ditëve kalendarike. Lidhur me këtë, KEK ju njofton se sasia për qytetar është e limituar në një kamion prej 10 ton. Për më tepër, KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë ka caktuar çmimi prej 15 € për një ton qymyr me TVSh, pa përfshirë koston e ngarkimit dhe transportit”, thuhet në njoftimin e lëshuar.

KEK ka bër të qartë se procesi i ngarkimit dhe transportit do të mundësohet nga një operator ekonomik, i përzgjedhur nga KEK dhe nuk mund të kalojë koston e ngarkimit prej 30€ për kamion dhe shumën prej 2.40€ për kilometër për transport.
“KEK fton të gjithë të interesuarit që të shfrytëzojnë ketë mundësi për furnizim me qymyr për të përballuar më lehtë koston e rritur për ngrohje gjatë sezonit dimëror. Lokacioni: Drejtoria e minierës në Bardh, pagesa e qymyrit përmes xhirollogarisë së KEK sh.a. ndërsa pagesa e ngarkesës dhe transportit bëhet tek OE”, thuhet në fund.