Komisioni Europian pritet të nisë një hetim ndërkombëtar për ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë të premtes në katër vende të rajonit, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci.
Një hetim Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) do të përcaktojë shkaqet.
“Më 21 qershor,rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe në një ndërprerje të pjesshme në Kroaci.
OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit te konsumatorët. Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO do të kryejë hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”, thuhet në deklaratën e ENTSO, rrjeti evropian i operatorëve të sistemit të transmisionit për energji.
Një ditë më parë Shqipëria dhe disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor u përfshinë nga një kolaps pasi një defekt ndërpreu pothuajse 40 minuta energjinë elektrike, në një kohë kur temperaturat shënonin 40 gradë celcius.
Comments are closed for this post.