Kryetarit të Komunës së Strugës, në Maqedoninë e Veriut i është konfiskuar pasaporta. Kërkesa për këtë masë ndaj zotit Ramiz Merko u bë nga Prokuroria Themelore e Strugës dhe më pas u miratua nga gjykata.
Po ashtu zoti Merko është i detyruar të paraqitet një herë në javë në Gjykatë. Pokuroria tha se kërkoi këtë masë për shkak të rrezikut të arratisjes.
Ai akuzohet për vendosjen në muajin mars të këtij viti të një pllake përkujtimore në hyrje të godinës së komunës, që sipas organit të akuzës ka nxitur urrjetje dhe përçarje ndëretnike mes banorëve të Strugës.
Prokuroria e Strugës në një afat të shkurtër kohor ka ngritur edhe tetë padi ndaj zotit Merko, që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës.
Ramiz Merko është përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe për një kohë të gjatë është në krye të komunës së Strugës.
Departamenti Amerikan i Shtetit e përcaktoi atë në qershor të vitit të kaluar si të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm dhe e shpalli person të padëshirueshëm.
Departamenti i Shtetit theksonte se kryetari i komunës së Strugës ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë.
Njoftimin për masat kundër zotit Merko e kanë përshëndetur partitë shqiptare të koaicionit “Vlen”, që akuzojnë BDI-në për përfshirje në skandale korrupsioni. Vetë zoti Merko dhe BDI-ja nuk kanë reaguar ende.
Comments are closed for this post.