Shefi i policisë së Këlnit , Falk Snaber , përpiqet të fshehë ndjenjat e tij në një konferencë për shtyp. Ai thotë se është i tronditur dhe i befasuar nga ajo që nxjerr në dritë hetimi njëmujor i një tjetër skandali të abuzimit seksual të fëmijëve dhe pornografisë së fëmijëve që tejkalon të gjitha kufijtë e imagjinatës. “Nuk kam hasur kurrë në një nivel të tillë barbarie çnjerëzore dhe indiferencë ndaj vuajtjeve të fëmijëve të vegjël, dhimbjeve dhe britmave të tyre dhe frikës së tyre të dukshme. Dhe kurrë nuk mund ta imagjinoja këtë.Në ambientet e familjeve”

Ky është një tjetër rast i abuzimit seksual të fëmijëve në shtetin e Nordrhein-Westphalia, por me tipare të paprecedentë. I pandehuri kryesor është një 44 -vjeçar nga qyteti Vermelskirchen në shtetin gjerman. Një punonjës si dado, i martuar dhe pa fëmijë, ofronte shërbime të kujdesit të fëmijëve në internet dhe kështu kishte akses te viktimat e tij , u tha gazetarëve Ulrich Bremer , një zëdhënës i prokurorisë.

“Në lidhje me mënyrën se si i akuzuari ka pasur kontakt me fëmijët, mund t’ju informoj se nga njëra anë fëmijët vinin nga mjedisi i tij i afërt, dhe nga ana tjetër, dhe kjo ka të bëjë me shumicën dërrmuese të fëmijëve të dhunuar, ekziston dyshimi i arsyeshëm, se i akuzuari ka ofruar me sukses “babysitter” përmes platformave të ngjashme në internet dhe më pas ka kryer aktet në ambientet e familjes”.

Vlen të përmendet se prindërit e këtyre fëmijëve nuk dyshonin aspak se çfarë po ndodhte në shtëpinë e tyre. Edhe viktimat, tashmë të rritur, u shtuan kur mësuan nga hetuesit se ishin abuzuar seksualisht në fëmijëri, pasi aktet e 44-vjeçarit datojnë që në vitin 2005.

Fëmijët u droguan që të mos bërtisnin

Veprimet e tij tronditën madje hetuesit që kanë trajtuar shumë raste të ngjashme. Viktima më e vogël ishte një foshnjë një muajshe, mes të cilëve edhe pesë foshnja të tjera, foshnja dhe fëmijë me aftësi të kufizuara. Gjithsej 33 viktima deri tani. Fantazitë e dhunshme të të akuzuarit, i cili ka rrëfyer veprimet e tij, janë të pamundura të fiksohen në letër. Siç u bë e ditur në konferencën për shtyp, në materialin pornografik me vëllim të madh që u gjet në kompjuterin e tij, janë regjistruar “përdhunimet më brutale të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël” .

Ka indikacione se në disa raste fëmijët u qetësuan me barna për të mos u bërtitur. Deri më tani është vlerësuar vetëm 10% e materialit të ruajtur dhe ka shumë gjasa që numri i viktimave të abuzimit të vazhdojë të rritet. Policia ka gjetur gjurmët e 73 të dyshuarve të tjerë, shumica prej tyre prindër, të afërm, fqinjë, vëllezër, madje edhe prindër e gjyshër të të akuzuarve./abcnews.al/