Një hartë e krijuar nga studiues evropianë, tregon se vendet e rajonit të Ballkanit e Mesdheut, si dhe Turqia, janë të gjithë shumë më të rrezikuar nga tërmetet sesa pjesë të tjera të Europës.

Kërkues pjesëmarrës të projektit SHARE, që financohet nga BE-ja, arritën të evidentojnë rajonet më të ekspozuara të kontinentit ndaj lëkundjeve të dhunshme sizmike, duke rreshtuar aty Ballkanin, Italinë, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Turqinë.

“Europa ka një histori të gjatë tërmetesh shkatërrues”, tha profesori Domenico Giardini, koordinator i projektit. ‘Të gjithë i kujtojmë ngjarjet tragjike të Izmitit në Turqi, në vitin 1999 dhe ato të Aquilës në Itali në 2009-tën e 2016-tën, ku pati një numër të madh viktimash”, ka shtuar ai.

Për të krijuar këtë hartë, studiuesit kombinuan të dhëna nga më shumë se 30 000 tërmete europianë me një magnitudë nga 3,5 e lart të regjistruara që prej vitit 1.000 e verifikuan efektet e dëmshme të tyre. Për këtë qëllim, u përdoren dhe informacione nga Harta interaktive AHEAD e tërmeteve në kontinentin e vjetër.

Të gjitha të dhënat u kombinuan në një hartë të vetme, ku zonat me rrezikun maksimal janë shënuar me një ngjyrë të purpurtë të thellë, ndërsa të tjerët ku rreziku vjen pak më I ulët por sërish I konsiderueshëm, janë me të kuqe. Në këto zona, ekziston një probablitet prej 10% apo edhe më I lartë, që tërmetet të përsëriten brenda harkut të 50 viteve.

Një nismë e tillë, sipas pjesëmarrësve në projektit, mund të jetë e dobishme për politikat e së ardhmes, që kanë të bëjnë me llojet e ndryshme të ndërtesave dhe infrastrukturës siç janë digat, ndërtesat e larta apo edhe urat. Harta tregon edhe disa pika më të nxehta pranë Brukselit në Belgjikë, Lisbonës në Portugali, Budapestit në Hungari dhe përgjatë vijës malore të Pirenejve.

Tek këta të fundit, problemet lidhen më së shumti me përbërjen gjeologjike të zonës. Rreziku sizmik, sipas profesor Giardinit, nuk ka të bëjë vetëm me llogaritjen e probabilitetit të një ngjarjeje të ndodhur diku në Europë në një periudhë të caktuar kohe, por I referohet edhe mundësisë së humbjes së jetëve dhe dëmeve që mund të shkaktojë një event sizmik.