Një grevë mbarëpopullore nga punonjësit e sektorit privat dhe publik duket se do ta paralizojë Greqinë, ndërsa Qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis është nën presion të shtuar për t’u marrë me rritjen e kostos së jetesës.
Sindikatat që kërkojnë “paga dinjitoze” përballë rritjes së kostove të konsumatorit u zotuan se greva 24-orëshe do ta çojë shtetin në bllokim, me protesta të organizuara në qytete në mbarë Greqinë.
Dikasteret qeveritare, shkollat, spitalet dhe transporti publik, përfshirë shërbimet e trenave dhe tragetet, do të ndikohen nga veprimi sindikal, që filloi me punëtorët në mediat shtetërore dhe private të martën, raportoi The Guardian.
Liderët e sindikatave e kanë akuzuar Qeverinë për dështim të adresimit të inflacionit dhe kanë thënë se rritja e kostos së jetesës ka dëmtuar standardet e jetesës deri në atë pikë sa shumë po e kanë të vështirë të mbijetojnë.
“Kostoja e jetesës është shumë e lartë e pagat tona janë të ulëta, ndërsa kostot e larta të banimit i kanë lënë të rinjtë në një pikë tragjike”, ka thënë Yannis Panagopoulos, i cili kryeson sindikatën kryesore të sektorit privat, GSEE.
Grekët me të ardhura të ulëta janë të detyruar të jetojnë me pagë minimale prej më pak se 900 euro në muaj në një shtet ku çmimet janë ndër më të lartat në Evropë.
Mitsotakis së fundmi është zotuar se do ta rrisë pagën minimale në 950 euro, por me koston e banimit në rritje ai është përballur me kritika se kjo shumë nuk është e mjaftueshme në një shoqëri ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është rritur vitet e fundit.
Comments are closed for this post.