Gjuha rome është shpallur gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit nga autoritetet komunale të qytetit. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur se në Kuvendin Komunal është votuar pro që gjuha rome të njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit.
“Sot, zgjidhëm një prej çështjeve më të rëndësishme të komunitetit rom në Komunën e Prizrenit, gjë për të cilën është punuar më shumë se një dekadë që të arrihet në pikën që u realizua sot. Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, votuam pro që gjuha rome të njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit”, theksoi Totaj.
Kryetari i Prizrenit tha se gjuha është jetike për njerëzimin e ky komunitet ka trashëgimi unike dhe ndër prioritetet e Komunës është mbrojtja e të drejtave të komuniteteve si dhe e të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit, pa dallim. “Kultura shumë dimesionale e Prizrenit e bën atë unik dhe të këndshëm për të jetuar, e, sigurisht pjesë e kësaj shoqërie të larmishme janë edhe romët që jetojnë tradicionalisht në Prizren dhe janë aset i rëndësishëm për kompletimin e tërësisë sociale e kulturore të qytetit tonë, i cili njihet për harmoni në bashkëjetesë të të gjitha komuniteteve”, shtoi Totaj.
Në Komunën e Prizrenit jetojnë rreth 3 mijë banorë të komunitetit rom. Në këtë qytet, përpos gjuhës rome, gjuhë tjetër e bashkësive në përdorim zyrtar është edhe gjuha turke dhe boshnjake.
Comments are closed for this post.